12 mars 2015 – Pas mbylljes së seancës plenare në vetëm 15 minuta, dhe pretendimeve të opozitës se mbyllja e punimeve të Kuvendit u bë për shkak të frikës dhe panikut që ka kapur mazhorancën, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ai ka qenë gjithnjë i bindur se toleranca e tepruar ndaj kësaj opozite që kërkon të përdorë Parlamentin për mitingje, pasi ka pasur një pafundësi seancash të kthyera në mitingje brenda parlamentit, është një tolerancë që nuk sjell asgjë tjetër përvese vet degjenerimin e Parlamentit.
“Jam i bindur se pas kësaj, Parlamenti duhet t’i kthehet plotësisht rregullores dhe gjithsesi duhet të respektojë plotësisht rregulloren. Populli shqiptar është shumë më i vetëdijshem dhe shumë më i qartë për gjithçka po ndodh, shumë më i qartë sesa ju dhe gjithë ata që në vend që të bëjnë detyrën e të zgjedhurit të popullit , të flasin për hallet dhe problemet e njerëzve kanë vetëm një hall, hallin e tyre”, u shpreh Rama.
Për liderin e qeverisë, të gjithë situatën e krijuar përgjatë ditëve të fundit me çështjen “Doshi” mund ta sqarojë vetëm një hetim i plotë nga Prokuroria.
“Jam i bindur që gjithçka ndodhi dhe shkaktoi gjithë trazirën psikologjike për shoqërinë gjatë këtyre ditëve do të kthehet në mirësi për politikën dhe ndërveprimin shoqëror dhe politik, por për këtë duhet të presim me durim përfundimet e hetimit.
Vetëm hetimi i plotë, i paanshëm dhe për çdo detaj i kësaj çështjeje do të mund të japë përfundimin që kërkon publiku dhe do mund të tregojë të vërtetën e gjithë kësaj telenovele të shëmtuar. Besoj dhe uroj që gjithçka po ndodh, të sjellë dhe Parlamentin më në fund në binarët e rregullores dhe të bëjë të mundur që ky Parlament të prodhojë atë për të cilin është zgjedhur.
Të prodhojë ligjet dhe të shtyjë përpara reformat për të cilat ne jemi sot në krye të vendit. Dua të rinënvizoj se në këndvështrimin tim është një çështje mbi të cilën duhet të reflektojë thellë dhe media. Media mund të bënte dhe mund të bëjë shumë më tepër për të siguruar transparencën e plotë mbi çështjen bazuar në fakte, në prova dhe gjykime që burojnë nga bonsensi dhe ligjshmëria në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi kryeministri Rama.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





