Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë gjatë këtij viti investimet për transformimin e infrastrukturës arsimore, nga shkollat në universitete.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm shifrat e investimeve në infrastrukturën arsimore në shkolla dhe universitete, ku thekson se ambientet e reja janë ndërtuar për “të siguruar që nxënësit dhe studentët tanë të mësojnë në mjedise moderne dhe të mirëpajisura”.
Për sa i përket investimeve në shkolla, janë kryer investime në 100 shkolla të reja dhe terrene sportive.
Në 2025-n do të vijojnë investimet në kantieret e hapura në 40 shkolla, ndërsa vitin e kaluar janë instaluar 216 laboratorë smart në shkolla.
Ndërsa investimet në universitete janë: Ndërtimi i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakulteti i Arkitekturës; Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave dhe ndërtimi i muzeumit të Gjeologjisë dhe Minierave; fakulteti i Bioteknologjisë së Ushqimit në UBT; klinika e re e veterinarisë së ushqimit në UBT; Laboratori i anatomisë së kafshëve në UBT; ndërtimi fakultetit të studimeve profesionale në Universitetin e Durrësit; ndërtimi i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Universitetin e Elbasanit.
Ndërkohë këtë vit nis puna për ndërtimin e pistës së re të atletikës në Universitetin e Sporteve.
Buxheti 2025 për MAS është në shifrën 62.02 miliardë lekë.
Me buxhetin e 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku do të përfitojnë rreth 20 000 -25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.