Pas 10 muajsh punime, sheshi “Skënderbej” është tashmë i hapur për të gjithë qytetarët. Tepër i emocionuar, kreu i qeverisë Edi Rama tha se kjo ishte një nga ditët më të lumtura të të jetës së tij.

“Besojeni ose jo, po është herë para në jetën time politike që nuk shkruaj dot një fjalim. Mua më dridhen gjunjët. Është nga fjalimet e rralla që do jetë i shkurtër. Kalova me Lindën vetëm në shesh, dhe nuk mbaja dot lotët. Mendoja se ky shesh nuk do bëhej kurrë. Sot nuk do ishim këtu nëse nuk do kishim Lali Erin të cilit i jam mirënjohës,” tha Rama

“Gjithashtu ky shesh nuk do ishte aq i bukur po të mos shahej kaq shumë. Ky shesh është i të gjithë shqiptarëve, i Amerikës, i Europës. Djali im Zaho e shumë fëmijë të tjerë të moshës së tij do ta shohin sheshin duke menduar mirë për ne. Është sheshi që përfaqëson në mënyrën më të mirë qytetin dhe Rilindjen Urbane, demokracinë që lidhet me qytetin, njeriun që jo thjeshtë si qenie që duhet të ushqehet, por njeriun me ndjenja, shoqërinë jo si tufë, por si bashkësi mendimesh. Shumë gjëra do zbulohen në këtë shesh,” tha ndër të tjera Rama.

Ai gjithashtu zbuloi disa “sekrete” të sheshit, të cilat ishin dhe pikat e tij të dobëta në lidhje me sheshin.

“Unë do ju tregoj vetëm disa pika të dobëta të miat që lidhen me sheshin: 

E para, nuk është sheshi i pushtetit, si u përdor për vite nga regjimi komunist. Është piramidë e ulur që qëndrën e ka në mes, dhe çdo qytetar mund të shkojë në qendër të piramidës, Zot i vetes, i barabartë me të tjerë.

Pika e dytë e dobët për mua, është mikroklima e sheshit. Shumëkush ka folur për një hapësirë të madhe që do jetë boshe, e nxehtë, e lodhshme, por ky shesh është hapësira me mikroklimën më ideale që mund të gjendet në Shqipëri. Ky shesh rri mbi ujë, dhe uji del për të stabilizuar temperaturat e sheshit.

E treta, sheshi rrethohet me kurorë të gjelbër, të gjithë folën për gurët e të gjitha trojeve por kurora e gjelbër është tërësi pemësh nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët.

Dhe e fundit, ky nuk është sheshi i të fortëve por i atyre që në gjithë këto vite janë parë si të dobët, sheshi i qytetarëve të mirë, këtu mund të jesh i gjatë sa të duash, e të kesh pushtet sa të duash, por këtu je i barabartë me të tjerët. Këtë jua them unë,” tha Rama.