Kryeministri Edi Rama, në komunikimin javor si çdo të diel, ka rifolur për çështjet që zien gjatë javës së kaluar. E kaloi të gjithë këtë zhurmë politike me një ndjesë për qytetarët duke thënë se e gjithë çështja e javës që kaloi ishte një kthim në çadër.
“Javë e trazuar, politika e tollovioti edhe njëherë Shqipërinë me një grindje. Qytetarin e zakonshëm mund ti jetë dukur se ne i harruam ata për tu marrë me njëri – tjetrin. Unë ju kërkoj ndjesë nëse ju kam lënë përshtypjen jo të mirë. Kjo javë ishte një kthim mbrapa, në kohën e çadrës. Pavarësisht zhurmës dhe pengesave, jo vetëm që nuk e kam harruar, por as e kam lënë pas dore punën që na takon për të bërë,” tha Rama.
Po ashtu kryeministri Rama foli edhe për raportin e Komisionit Europian, për ekonominë, ku sipas tij të dhënat e ekspertëve kanë shënuar një rritje inkurajuese.
“Komisioni Europian vlerësoi rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon, për uljen e borxhit publik. Të dhënat e eksporteve kanë shënuar rritje inkurajuese. Edhe në luftën kundër informalitetit është konstatuar rritje e xhiros. Këto janë lajme të mira që më motivojmë, por që nuk na mjaftojnë. Ka kaq shumë për të bërë në çdo sektor” tha kryeministri.





