Tiranë, 22 korrik 2014 – Në analizën e 300 ditëve të para të ecurisë së punës në Ministrinë e Shëndetësisë, kryeministri Edi Rama theksoi se premtimi i qeverisë së tij për të bërë shëndetësinë falas, ka filluar të zbatohet, pavarësisht se është një proces që kërkon kohë. Ai deklaroi se deri më tani qeveria ka krijuar 10 paketa shëndetësore pa pagesë të financuara nga vetë qeveria, që kanë nisur të zbatohen në spitalet publike dhe ato jo publike.
“Ky është një zotim që do ta mbajmë por sigurisht do ta mbajmë në kohën e nevojshme për ta kryer këtë revolucion. Mbulimi universal shëndetësor nuk është as një halucinacion ideologjik e elektoral dhe as një prirje e izoluar, por është një tendencë botërore sot, që siç nënvizon edhe vete presidenti i BB-së nuk është kërkesë për shëndetësi më të mirë, por është kusht për barazi, jo përpara një malli që e blen kush ka lekë, por përpara një nevoje që një shtet i përgjegjshëm e plotëson për këdo në mënyrë të barabartë, ka apo s’ka lekë”,deklaroi Rama.
Ulëm çmimet dhe hoqëm taksën e barnave
Kryeministri tha se ndryshe nga çfarë u pretendua nga ata që ishin dje në pushtet, qeveria solli uljen e çmimeve dhe heqjen e taksës së famshme të barnave:
“Ne kemi parashikuar buxhetin me të lartë për shëndetësisë, gati 10 përqind me të lartë se viti i mëparshëm. 10 paketa pa pagesë të financuara nga qeveria kanë nisur të zbatohen në spitalet publike dhe jo publike. Premtuam se do të hiqnim taksën e famshme të barnave dhe e hoqëm, ndryshe nga çfarë u pretendua nga ata që ishin dje në pushtet, ne sollëm uljen e çmimeve”, tha kryeministri.
S’ka më ilaçe më të shtrenjta se në vendet fqinje
Rama u zotua se nuk do të shiten më ilaçe më të shtrenjta se në vendet fqinje. Në këto 300 ditë rreth 55 medikamente të reja, janë futur në listën e barnave të rimbursueshme.
Depolitizim i trupës shëndetësore
Kryeministri deklaroi se një nga prioritetet kryesorë në reformimin e sistemit shëndetësor është depolitizomi i trupës shëndetësore. Sipas tij mjekët janë “partnerë në realizimin e qëllimit të shtetit”, dhe lidhja e tyre me politikën duhet të shkëputet.
Tolerancë zero ndaj korrupsionit
Rama bëri me dije se viti i dytë i mandatit të qeverisë do të karakterizohet nga një luftë e panjohur më parë kundër korrupsionit, e shtrirë në të gjitha nivelet:
“Kjo është një reformë e sistemit të shëndetësisë, që do të fillojë në vjeshtë. Fushata kundër korrupsionit do të shtrihet në shëndetësi, spitale, në çdo sportel e derë, ku njerëzit vijnë e kërkojnë atë që ju takon”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





