28 nentor 2013- Kryeministri Edi Rama uroi festën e 101 vjetorit të Pavarësisë nga qyteti i Vlorës, ndërsa është ndalur në fjalën e tij në çeljen e konkursit për projektin e vijës bregdetare të Vlorës “Lungo Mare”. Rama tha se bregdeti është një sfidë për të ndërtuar Vlorën e shekullit të ri, e cila mund të shndërrohet një qendër e re e fuqishme investimi. Sipas tij konkursi është kapitull i ri për Vlorën, duke shtuar se vija bregdetare e Vlorës është një sfidë për tu fituar, për tu shndërruar në një realitet të ri të Shqipërisë së re turistike.
"Gëzuar Pavarësinë. Më lejoni që si deputet i qytetit, ti uroj mirëseardhjen kreut të Kuvendit, kabinetit dhe të të gjithë vëllezërve tanë nga të gjitha trevat e rajonit. Falenderoj nga zemra, skuadrën e Ministrisë së Zhvillimit Urban, për këtë konkurs ndërkombëtar që shënon një kapitull të ri për qytetin tonë dhe ky konkurs hapet sot në vitin e parë të 100 vjetorit të dytë të Pavarësisë së vendit tonë dhe të rrugëtimit të Shqipërisë drejt, integrimit Evropian nën udhëheqjen e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Sot keni një thesar që për shumë vite na humbi nga sytë dhe u desh një ndërhyrje jo shumë e vështirë që të shohim bregdetin e qytetit tonë. Sot nuk ka asgjë që na duhet ta shpikim, por ka shumë shembuj në të gjithë Mesdheun. Kemi shembuj edhe për të mësuar nga gabimet e të tjerëve për projektet e bëra. Kemi edhe eksperiencën e nevojshme për të ndërtuar një konkurs që të përfshijë jo vetëm talente dhe forcën e imagjinatës të arkitektëve me famë në botë por edhe atë të qytetarëve të Vlorës.
Kemi marrë një zotim që ta zhvillojmë dhe këtij zhvillimi ti japim edhe qëndrueshmëri. Ky konkurs dhe projekt janë hapi i parë drejt realizimit të këtij zotimi. Ky qytet dhe vija bregdetare janë një sfidë për tu promovuar, nga Pylli i Sodës deri lart tek Tuneli, në një realitet të ri evropian dhe urban. Jam i bindur se, pavarësisht gabimeve të bëra, për shkak të mos eksperiencës apo të ngutjes gjatë zhvillimit të pa qëndrueshëm, aty është vendi për të ndërtuar një nga vijat më të bukura të Mesdheut për të thithur një numër jo vetëm më të madh por edhe më cilësorë turistësh. Ne kemi një fat të mirë, se jetojmë në një rajon paqeje dhe fati tjetër është se lagemi nga dy dete dhe ta kthejmë këtë fat në një mirëqenie për të gjithë qytetarët. Ta bëjmë Vlorën, që çdo kush që lind këtu të ndihet me fat, pasi të ketë gjithçka të siguruar. Gëzuar edhe një herë 28 Nëntorin dhe në emrin tuaj më lejoni ti ftoj për drekë, miqtë që na kanë nderuar”, përfundoi fjalën e tij, kryeministri Edi Rama, duke mbyllur edhe ceremoninë e nisjes së konkursit për projektin e ndërtimit të shëtitores “Lungo Mare”.





