Kreu i PD, Sali Berisha, ishte sot në Lazarat. Ai u ka bërë thirrje banorëve që të bëhen bashkë në këto zgjedhje për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin Edi Rama.

Ai tha se Rama ka ushtruar terror ndaj Lazaratit, ndërsa tha se për këto do të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Berisha ka përsëritur edhe një herë se do të jenë primaret ato përmes të cilave vetë banorët e Lazaratit do të zgjedhin kandidatët që duan t’i përfaqësojnë.

Sali Berisha: Për djemtë dhe vajzat tuaja kudo ndodhen, nderimin tim më të madh, flamuri i Lazaratit mbetet flamuri kombëtar, i lirisë, të paktë janë shqiptarët, ballkanasit dhe europianë që kanë paguar çmim më të madh sesa ju për lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Në këtë drejtim ju garantoj se do bëjmë gjithçka që emri juaj, dinjiteti, mbështetja, të kthehet në një mundësi të madhe. Të rinjtë të kthehen këtu dhe të ndërtojnë të ardhmen. Jeni përballur me një regjim mizor, Rama ka derdhur mbi urrejtjen primitive atërore sepse nuk u mposhtët nga regjimi i Enver Hoxhës. Jeni dhe do mbeteni një emër i nderuar në përpjekjen e shqiptarëve për atdhetari. Ju siguroj se ata të cilët përdorën dhunë dhe terror ndaj jush, do marrin përgjigjen e merituar ligjore, do bëmë gjithçka së bashku me ju, t’i shkurtojmë jetën këtij armiku të egër të lirive, të lazaratasve dhe mbarë shqiptarëve. Keni ngritur një seri problemesh, keni rekomanduar dhe shtruar çështje të rëndësishme, ju siguroj se do jenë pjesë të rëndësishme të programit të PD. Ka marrë fund koha kur kryetari, kryesia e Tiranës, caktonte drejtuesit tuaj. Nga këto zgjedhje, do jeni ju që do zgjidhni kandidatin dhe qeveritarët tuaj, dhe u siguroj se respekti për votën tuaj do jetë absolut nga PD.