Uells, 5 shtator 2014 – Shqipëria mban qëndrim të fortë në samitin e NATO-s qoftë për nevojën e njohjes së Kosovës si shtet nga anëtarët e Aleancës që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, qoftë për nevojën e zbatimit të përpiktë të marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, por edhe për nevojën që NATO të përfshijë edhe vendet e tjera të Ballkanit, duke filluar me Malin e Zi për të cilin KM Rama kërkoi ftesë, në strategjinë e saj të zgjerimit. Në të dyja sesionet Kryeministri u ka bërë apel të hapur katër vendeve të NATO-s që ende s’e kanë njohur Kosovën që të nxitojnë për ta hedhur këtë hap, pasi edhe në kuadrin e zhvillimeve të reja në frontin e propagandës së ekstremistëve islamike, është e domosdoshme që shqiptarët e Kosovës që kaq shumë kanë investuar për lirinë, paqen dhe stabilitetin e rajonit, meritojnë të ndjehen pjesë e familjes së shteteve evropiane.

“Vendet e NATO-s të njohin Kosovën. Njohja e Kosovës e nevojshme në këtë situatë. Kosova meriton të ndjehet pjesë e familjes evropiane. E nevojshme të zbatohet marrëveshja e Ohrit. Në NATO dhe vendet e tjera të Ballkanit. Zgjerimi, të ftohet dhe Mali i Zi”, tha Rama. 

 

Konferenca e plotë e Kryeministrit Rama

 

Zoti Rama, për tu ndalur tek takimet dypalëshe dhe konkretisht tek takimi me homologun tuaj grek Samaras. Nga ajo që ju keni komunikuar dje më të, a e ka konsideruar Athina çështjen e ndarjes territoriale edhe konkretisht atë të minoriteteve një çyshtje të shtuar në dosjen e çështjeve të pazgjidhura mes Tiranës dhe Athinës?

Ndarja territoriale administrative është një atribut i organeve vendimmarrëse të Shqipërisë, dhe organet vendimmarrëse të Shqipërisë, qeveria pastaj Kuvendi kanë marrë një vendim në frymën e interesit kombëtar dhe në frymën e mbrojtjes pa asnjë ngurim të minoriteteve, të lirive dhe të drejtave të tyre. Kështu që për ne nuk ka një çyshtje të tillë.

Të njëjtin qëndrim i keni thënë dhe dje Kryeministrit Samaras zoti Rama?

Absolutisht për ne është e domosdoshme të shkojmë përpara me këtë reformë, nga e cila përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë, qofshin ata me kombësi shqiptare, qofshin dhe ata me kombësi greke.

A ka përmendur pala greke fillimin e bisedimeve mbi marrëveshjen e detit?

Ne kemi një pozicion shumë të qartë për këtë, dialog dialog dialog, barazi barazi barazi dhe vullnet vullnet vullnet, për të gjetur zgjidhjen një orë e më parë të një çështjeje ku sigurisht nuk mund të kthehemi pas por duhet të shkojmë përpara. Që do të thotë na duhet një zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranueshme nga dy palët, çka është, besoj unë dhe qasja e palës greke. Dhe besoj po ashtu që është në dorën tonë, që siç kemi bërë progres me disa nga çështjet, të bëjmë progres dhe me këtë çyshtje duke mos harruar që të vazhdojmë të kërkojmë siç kemi kërkuar heqjen e ligjit absurd të luftës mes të dy vendeve. Por dua të theksoj se me Kryeministrin Samaras kemi një dialog jashtëzakonisht konstruktiv, të hapur, miqësor. I kam bërë ftesë të vizitojë Shqipërinë dhe e ka pranuar ftesën me kënaqësi dhe nga ana tjetër besoj dhe besojmë që çështjet mes nesh janë një arsye më shumë për të kuptuar se jemi fqinj që ndajmë, le të themi murin e oborrit, dhe që e kemi të domosdoshme të bashkëpunojmë me njeri-tjetrin. Aq më tepër në kushtet kur na duhet të forcojmë bashkëpunimin, si me Greqinë, si me Italinë, si me Turqinë dhe me të gjithë vendet që kanë një impakt në rrjetet e krimit të organizuar duke vënë theksin tek shkëmbimi i informacioni dhe bashkërendimi i forcave mes policive dhe mes inteligjencës së vende që përmenda. Kam theksuar në samit edhe domosdoshmërinë që të mbështetemi si Shqipëri dhe si rajon në rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të inteligjencës si një domosdoshmëri në këtë betejë me një forcë të egër barbare, vrastare dhe jo plotësisht të njohur të fytyrës së re të terrorizmit në emër të Kalifatit.

Zoti Kryeministër pak pas minutash pritet të fillojë një panel tjetër i liderëve të NATO-s ku do të diskutohen buxhetet e mbrojtjes dhe pritet të miratohet një deklaratë, ku buxhetet e mbrojtjes nuk do të preken. A është e gatshme Shqipëria të përmbushë këtë detyrim, pavarësisht situatës të vështirë financiare?

Deklarata është një shprehje e vullnetit të mirë, nuk është një postulat apo një fjali e shkruar në ndonjë libër të shenjtë. Kështu që ne do të angazhohemi plotësisht siç jemi angazhuar dhe më lejoni ta them që jemi përmendur, përgëzuar dhe jemi parë me shumë respekt për atë që po bëjmë në frontin e ri ku jemi bashkuar me SHBA, me Gjermaninë dhe me një sër shtetesh të tjera, për të qenë pjesëmarrës aktiv në një betejë që zhvillohet në dukje larg por që në fakt është një betejë që zhvillohet brenda shtëpive tona. Sepse kjo formë e re agresioni ndaj botës dhe ndaj familjes së vendeve demokratike është një formë që nuk njeh kufi dhe mund të shfaq brutalitetin e vet, sa hap e mbyll sytë, kudo që ne jetojmë.