Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të mërkure me një videomesazh në Facebook, ku tregon arsyet pse Partisë Socialiste i duhet edhe një mandat i tretë qeverisës.
Sipas Ramës, socialistët e meritojnë edhe një mandat tjetër që Shqipëria të mos kthehet më pas dhe mbyllë punët që janë nisur, të heqim nga jeta jonë virusin vdekjeprurës si dhe që drejtësia të forcohet, ndërsa në sfond jepen pamje të shpërthimit të Gërdecit shumë vite më parë.
“Shqipëria duhet patjetër të shkojë në pikën që nuk kthehet më pas dhe që Shqipëria të shkojë aty ku nuk kthehet dot më mbrapsht duhet mandati i tretë. Në mandatin e tretë janë shumë gjëra që përmbyllen.
Duhet mandati i tretë që përfundimisht të heqim nga jetët tona armikun e padukshëm.
Duhet mandati i tretë që përfundimisht të kthejmë në shtëpi të gjitha familjet që u prekën nga tërmeti. Duhet mandati i tretë që drejtësia të forcohet dhe të bëhet e pathyeshme.”, shprehet ai në video.





