Kryeministri Edi Rama, ka vizituar sërish nga afër punimet në stadiumin “Loro Borici”, që pritet të jetë gati për ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë, mes Skënderbeut dhe Kukësit. Numri 1 i qeverisë shqiptare, i gjendur në Shkodër për një përurim në spitalin e këtij qyteti, përpara se të kthehej në Tiranë bëri një tjetër vizitë në impiantin futbollistik. Rama shoqërohej në këtë vizitë të tij nga prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani dhe deputeti i LSI, Agron Çela. Rama ka vizuar nga afër të gjitha punimet e kryera në stadium dhe duket se ka vlerësuar në tërësi dhe zbatimin e projektit të stadiumiut. Ndërkohë që kryeministri veç ambjenteve të brendshme, ka vizituar dhe pjesën e jashtme të impiantit, ku hapësirat që e rrethojnë atë kanë qenë një kusht në të cilin, qeveria e futbollit europian Uefa ka këmbëngulur jo pak. Stadiumi i rikonstruktuar “Loro Borici” do të ketë një kapacitet prej rreth 15.900 vendesh dhe deri në inagurimin e tij pritet të jetë gati dhe një tabelë e re elektronike.





