Nga Gjergj Thanasi
DURRËS, 14 shkurt 2015 – Fushata e ardhshme elektorale për pushtetin lokal, besohet se do të jetë një fushatë e vështirë për koalicionin rilindas të Kryeministrit Rama. Me sa duket në Durrës beteja elektorale do të jetë deri në ‘fishekun” e fundit. Pikërisht, duke parashikuar me largpamësi një përplasje të tillë Kryministri Rama megjithë hallet e pazakonta të kësaj jave u shndërrua në “durrsak”.
Këtë javë Rama u përball me pasojat e përmbytjeve në jug të Shqipërisë. Këto përmbytje e detyruan Kryeministrin të vihet në ballë të betejës për të përballuar sulmin e opozitës, pikërisht për këtë problem. Vetë Kryeministri shpërndan dele në zonat e përmbytura si Jezusi, që ndante peshk dhe pite buzë Liqenit të Galilesë. Kontakton personalisht me të përmbyturit, duke shpërndarë po vetë, ndihma nga kashta për të ushqyer gjënë e gjallë deri te elektroshtëpiaket, për gjynahqarët e përmbytur.
Fushata me lëndë plasëse arriti përmasa të frikshme në Tiranë, duke “kafshuar” edhe farmacinë e Familjes Tahiri. Fushata TNT arriti deri në kufijtë e lojës me minën me telekomandë pranë Gjimnazit Petro Nini Luarasi. Qershija mbi tortë banka u vodh në mes të ish Bulevardit “Mussolini”, në mes të ditës, si një sfidë publike ndaj propagandës qeveritare për sundimin e ligjit e të rendit në Shqipëri.
Opozita në Parlament ia nxorri bojën ministres së mbrojtjes nag helikopterët e drogës, te tokat e vjedhura në Rivierë. Opozita, po ashtu i sulmoi frontalisht rilindasit që nga motra e Taulant Ballës, deri te fjalimet alla Fidel Kastro të Ramës. Vetë Kryeministri u detyrua të përdorte fjalor të denjë për prozë poetike, për të mbrojtur qeverinë e tij nga sulmet e paepura të opozitës.
Me një ngarkesë të tillë të jashtëzakonshme, Kryeministri Rama gjeti kohë të vijë në Durrës, tri herë në 5 ditë.
Të martën e filloi vizitën në Durrës nga Palace Hotel, ku ishin mbledhur në një aktivitet dhjetra gazetarë shqiptarë, turq e kosovarë. Me spond kryeministri donte t’i rridhte mediave lajmin e një vizite informale në Durrës, si edhe të një takimi me biznesmenin Bregasi (takim, që më vonë “polli” dhjetra frigoriferë për të përmbyturit).
Të premten Kryeministri inspektoi disa nga kantieret e punimeve elektorale në Durrës. Më pas dha një mesazh publik duke dalë shëtitje, në bulevardin kryesor të qytetit së bashku me Kryebashkiakun Dako. Me këtë shfaqje publike binomi i pa ndarë Rama –Dako: i Gjati me të Shkurtrin, që të kujton binomin e viteve '50-të Ramazan Ngjala-Stefan Dhima, pak a shumë e vulosi rikandidimin e Dakos për herë të tretë.
Përdorimi i prokurorisë për të neutralizuar kandidatura potenciale (majtas e djathtas) që nga Vlora në Shëngjin-Lezhë, që nga Miloti në Fier me sa duket nuk do funksionojë me Kryebashkiakun Dako. Me këtë shëtitje diplomatike, Rama i çon mesazh Dhallës: "Ndalu beg se në Durrës ka hendek". Dako i Durrësit nuk është Shpëtim Gjika i Vlorës.
Këtë të shtunë, Kryeministri Rama pasi shpërndau përsëri dele në Myzeqe, rierdhi në Durrës për të shpërndarë më pas, tapi e dokumente legalizimi në Shijak. Një lëvizje e tillë e Ramës të kujton në invers vitin 1946, kur Komandanti i atëhershëm ndante tapi në Gorre të Myzeqesë (Lushnjës) dhe inaguronte urën e re mbi lumin Erzen në Shijak.
Me sa duket, Rama përsëri do që t’u dërgojë një mesazh të djathtëve se instrumenti me emrin prokurori nuk do funksionoje me hapje, në prag fushate elektorale, të çështjeve penale të montuara e abuzive për kryebashkiakët e Durrësit dhe Shijakut. Kryeministri Rama, si një vunjotas kokëshkëmb e inatçi e paska ndarë mendjen, që Deputetit Duka t’ia zërë rrugën e t’ia mbyllë derën me dryn e katana si në Durrës edhe në Shijak.





