Kryeministri Edi Rama ishte në kantierin e ndërtimit të shtëpive të reja individuale në Ishëm të Durrësit, një zonë e dëmtuar rëndë nga tërmeti i Nëntorit të një viti më parë. Rama kërkoi edhe pak durim nga banorët të cilëve u premtoi se natën e vitit të ri do të jenë në shtëpi të re.
“Rëndësi ka që shtëpia do të jetë më e madhe, më e fortë, më e bukur. Rëndësi ka që jeni shëndoshë e mirë dhe shumë shpejt do të jeni në shtëpi. Ta bëjnë mirë shtëpinë dhe të mos nxitohen, por sipas llogarisë që bëj unë, për vit të ri do të jeni në shtëpi,” – tha kryeministri.
Në këtë zonë janë 300 banesa që po ndërtohen si edhe disa shkolla.
“Vetëm në këtë njësi kemi patur 300 banesa të miratuara në Këshillin Bashkiak. Ka filluar ndërtimi për rreth 237 prej tyre me lotin e parë të fondit dhe punimet kanë filluar në zona të ndryshme. Këtu kemi një përqëndrim prej 4, 5 banesash që shtrihen në këtë fshat,” – shpjegoi kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.
Ndërkohë, ministri i rindërtimit Arben Ahmetaj kërkoi përshpejtim të procedurave nga bashkia e Durrësit për dhënien e lejeve të ndërtimit për shkollat.
“Sa i përket shkollave që do të ndërtohen nga PNUD-i ato janë gati, por kanë nevojë për leje nga Bashkia e Durrësit. Janë bërë të gjitha procedurat. Gati janë të gjitha dokumentacionet dhe janë vetëm në pritje të lejes së ndërtimit nga Bashkia e Durrësit, në fakt nga disa bashki. Këto leje duhen dhënë sa më shpejt në mënyrë që të fillojë hapja e themeleve,” – u shpreh ministri Ahmetaj.
Është parashikuar që 2 nga keto shkolla të hapin dyert për nxënësit në 26 nëntor, në 1-vjetorin e tragjedisë.
“Në këtë njësi administrative kemi katër objekte të reja arsimore, tre shkolla dhe një kopësht. 2 shkolla do të përfundojnë në dhjetor,” – u shpreh Sako.





