Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Tokio është takuar edhe me komunitetin shqiptar në Japoni. Këtë moment, kreu i qeverisë e quan të bukur dhe thotë se dy vendet do t’i fuqizojnë më tej marrëdhëniet e mira.
“Albanian Day në Tokio ishte një moment i bukur i vizitës, me komunitetin shqiptar në Japoni, si edhe me përfaqësues të shtetit, sipërmarrjes, kulturës dhe sportit të këtij vendi mahnitës e mikpritës, me të cilin do t’i fuqizojmë më tej marrëdhëniet e mira që kemi”, tha Rama.
Kryeministri Rama ndodhet që prej datës 21 shkurt në Japoni. Kreu i qeverisë takoi ditën e djeshme kryeministrin japonez Fumio Kishida ndërkohë që ka zhvilluar edhe takime të tjera me drejtues të kompanive të njohura apo përfaqësues të tjerë të institucioneve japoneze.