Zgjedhjet në Partinë Socialiste të strukturave të reja, dhe të kreut të partisë për bashkinë e dytë më të madhe në vend, kanë sjellë në një takim shefin e ekzekutivit Edi Rama, njëkohësisht kreu i PSSH-së. Në takim me strukturat socialiste ishte edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është edhe koordinatori i PS-së për Bashkinë e Durrësit. Mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura e pa praninë e mediave.
Burime nga PS-ja bënë me dije se prej javësh që Partia Socialiste e Durrësit është përfshirë në një ristrukturim të thellë që ka nisur me zgjedhjet e krerëve të organizatave në bazë. Burimet nga kjo parti bëjnë me dije se krerët socialistë nën drejtimin e të deleguarit nga qendra Saimir Tahiri, kanë zhvilluar zgjedhjet për krerët e 18 organizatave socialiste brenda qytetit, dhe priten edhe në zonat e tjera. Në takim me Ramën kanë marrë pjesë koordinatorët e rinj, si dhe titullarët aktualë të PS-së, në Durrës. Burimet sqarojnë se kërkesë parësore është hapja e partisë me frymë të re, anëtarësimet e reja, por gjatë mbledhjeve të mëparshme socialistët kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me punësimin e tyre.
Deri tani asnjë prej deputetëve, drejtuesve apo të angazhuarve në partinë më të madhe udhëheqëse, nuk ka shfaqur ambicie për të kandiduar në krye të partisë socialiste. Në fund të procesit të ristrukturimit të organizatave socialiste pritet mbledhja e asamblesë së PS-së, në përbërje të së cilës janë krerët e këtyre organizmave. Kjo asamble do të shqyrtojë kandidaturat dhe propozimet e bëra për kreun e PS-së nga baza dhe ato të vetëshpallura. Deri tani nuk është përcaktuar ende një datë, se kur do të përfundojnë zgjedhjet e organizatave, apo mbledhja e asamblesë, e cila do të përcaktojë edhe zgjedhjet për kryetarin e PS-së së Durrësit, si produkt final i kësaj reforme.
Tre emrat më të përfolur janë dorëhequr nga drejtimi i partisë, Alfred Mullarajt që mban pozicionin e kreut të PS-së për qytetin, Gentian Bejko deputet, kryetar i PS-së për qarkun, dhe Vangjush Dako kryetar i Bashkisë në mandatin e tretë qeverisës.
Partia socialiste e Durrësit hyn në zgjedhjet e brendshme, pasi ka fituar zgjedhjet vendore, ndërsa kreu i bashkisë Dako, mori mandatin e tretë qeverisës. Po kështu PS nis ristrukturimin në mandatin e tretë qeverisës, ndërsa përballet me premtimet e dhëna elektoratit të saj, dhe situatës reale, pasi gjenden në pushet si forca e parë qeverisëse.
K.H.





