Këtë të premte në mbrëmje, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Njësinë Administrative Nr. 2 në Tiranë, në kuadër të riorganizimit politik në terren.
Në këtë aktivitet, Rama shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, i cili së fundmi është ngarkuar si drejtues politik për këtë njësi. Takimi pritet të shërbejë edhe për prezantimin e ekipit drejtues lokal, ku përfshihen gjithashtu Gent Gazheli, ministrja Delina Ibrahimaj dhe zëvendësministrja Olta Manjani.
Sipas burimeve të Euronews Albania, Rama do të vijojë prezantimet e drejtuesve dhe mbledhjet me asambletë e çdo njësie, duke qenë dhe vetë prezent.
Në vijim të axhendës politike, të shtunën më 28 mars, kreu i qeverisë do të mbledhë Grupin Parlamentar socialist në Pallatin e Brigadave, në një takim që do të nisë në orën 11:00. Diskutimet do të përqendrohen te organizimi i punës parlamentare në vijim dhe prioritetet kryesore, me theks të veçantë te integrimi i vendit në Bashkimin Europian.
Mbledhja do të hapet nga drejtuesi i grupit parlamentar, Taulant Balla, ndërsa më pas fjalën do ta marrë Edi Rama. Gjithashtu, janë parashikuar raportime nga disa zyrtarë të lartë, mes tyre drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, si dhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku.





