Një ditë pasi Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi nisjen e mosbindjes civile, Kryeministri Edi Rama thotë se opozita do zjarr e kaos për t’i ikur drejtësisë.
Në një postim në Facebook, Rama shkruan se “kur ishin në qeveri e bënë tenderin e pagesës së rrugës 8-9EU! Dështuan. Tani i vunë zjarrin “patriotik” e duan ta përdorin Kukësin si shishe benzine për të djegur rrugën europiane të Shqipërisë! Mjerë kush u beson rrugëhumburve pa atdhe që duan zjarr e kaos për t’i ikur drejtësisë!”.
Pasditen e së hënës, Lulzim Basha u bëri apel të gjithë qytetarëve që të mos paguajnë taksat e rritura nga qeveria dhe taksat e reja që hynë në fuqi ditën e djeshme, atë të pronës dhe TVSH-në e biznesit të vogël.
Kryedemokrati akuzoi Kryeministrin Edi Rama se e ka çuar vendin në prag të katastrofës ekonomike dhe sociale.





