Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në një takim me banorët në Mirditës, ku ka prezantuar kandidatin e PS për këtë bashki. Rama u shpreh se Ndrec Deda do të jetë kandidatura dhe për katër vitet e ardhshme, dhe do të vijojë transformimin e qytetit.
Rama gjatë takimit tha se opozita që është larguar nga Parlamenti do të mund të futet sërish në shtator të vitit 2021.
“Këtë herë ikën nga Parlamenti dhe dogjën mandatet, ne jemi trima dhe nuk kthehemi kurrë. Kurrë mos u kthefshi se nuk e merr malli njeri për ju, madje, madje, që të jem shumë i sinqertë, ka qenë një rast i madh për shumë demokratë për të parë se çfarë janë këta, bënë festë dhe thoshin fitore-fitore dhe pastaj vinin të futeshin me zor në Parlament. Por në Parlament do të futen vetëm në shtator të vitit 2021, në qoftë se do u vijnë mendtë, se mbase nuk i vijnë”, tha Rama.
Më herët gjatë ditës së sotme Rama ka zhvilluar një takim dhe në Kurbin, ku prezantoi kandidatin për këtë bashki dhe sulmoi opozitën.





