Elvana Gjata, këngëtarja që theu rekordin me mbushjen e stadiumit Air Albania në koncertin e 23 qershorit i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama një intervistë në podcastin e tij dhe ky i fundit, siç rezultoi nga materiali që publikoi sot e ka pranuar.
Aty në fillim të bisedës ata zbuluan se kanë shkëmbyer edhe më parë mesazhe, ndërkohë që Rama tregon se shumë prej gjërave që ai bën, i kopjojnë dhe të tjerët, siç është rasti i atleteve me kostum që kryeministri thotë se është “përqafuar” si veshje brenda dhe jashtë vendit.
Edi Rama: Episodi lindi nga një mesazh në celularin tim, nga një ftesë e pazakonshme, në mesazh më shkruante se “në këtë pikë jemi njësoj, një dekadë unë e një dekadë ti” thashë ta ftoj Elvana Gjatën për të kuptuar ku jemi njësoj. Dhe të flasim pak si fillim për dekadën e njësojtë. Sepse vetë e shkruajte kështu që ja ku jemi shpjegoi.
Elvana Gjata: Ka qenë dekadë e mbushur me emocione, sakrifica, luftë ulje ngritje, por ja që jam kam dalë dhe jam shumë krenare për veten dhe punën e këtyre viteve dhe ndihem sot e fituar.
Edi Rama: Shpjego 2013 – 2023
Elvana Gjata: Menaxherit tim nuk i pëlqen që kam 19 vjet karriere sepse duhet të jem e re.
Edi Rama: Por ky është një truk si ata që ulin vitet në certifikata. Kur unë përcolla mesazhin tek prodhuesit e podkastit më thanë se ti nuk bën intervista. Atëherë pse pranove të vish këtu?
Elvana Gjata: Po njëherë në jetë ndodh që një kryeministër bën një podcast ndaj sic e thashë edhe në mesazh ndajmë të dy sukses në karrierat tona dhe do kisha shumë kënaqësi të flisja për gjëra që nuk i kam prekur më parë.
Edi Rama: Unë kam bërë disa gjëra që duket sikur ndodhin njëherë në jetë pastaj kam marrë dhe i kam bërë shumë herë të tjera. Kështu thoshin edhe kur vesha atletet me kostum dhe pastaj të gjithë jo vetëm këtu por edhe në vende të tjera përdorin atlete me kostum.
Elvana Gjata: Me kollare me ngjyra nuk kam parë njeri akoma…
Edi Rama: Eshtë pak më e sikletshme t’ju shkosh mirë ngjyrave. Por gjithsesi unë besoj që ti je akoma shumë e re dhe do të ketë edhe të tjerë që bëjnë këtë që unë bëj për herë të parë në jetë. Pse nuk jep intervista?
Elvana Gjata: Sepse duhet të ndihem shumë mirë me atë që kam përballë, e të flas sinqerisht. Sepse s’më pëlqen të flas gjëra klishe, të sforcuara.
Edi Rama: Unë nuk e ndjek shumë skenën e kësaj lloj muzike, nuk është kjo muzika që unë ndjek. Si shkon sot?
Elvana Gjata: Unë jam ndjerë shumë mirë në fakt kur kam marrë kompliment nga juve në albumin që realizova me Pirro Cakon albumin e parë akustik. U gëzova shumë që ju pëlqeu…
Edi Rama: Pirro është një shok shumë i vjetër. është aq i vjetër sa kur e kujtoj më duhet të përball edhe një shkarkesë elektrike sesa shumë i vjetër duhet të jem edhe vetë por realisht më është bërë jashtëzakonisht qejfi atëherë kur bëri albumin. E para sepse bëri albumin, e dyta sepse falë teje albumi mori…por si është sot situata jote në raport me publikun?
Elvana Gjata: Situata politike apo…?
Edi Rama: Jo jo situata jote në raport me publikun…
Elvana Gjata: Situata është shumë e mirë, energjia është shumë e mirë. Tirana po zjen për shkak të koncertit dhe kjo më ka dhënë një gëzim shumë të madh.
Edi Rama: Do ta mbushësh plot stadiumin?
Elvana Gjata: Kjo është hera e parë që një artist shqiptar bën një koncert në stadium, publiku shqiptar është i pamësuar me këtë kulturë kështu që mendoj si për herë të parë 20 mijë vetë do të jetë një “good start”.
Edi Rama: Unë mendoj se publiku shqiptar është i gatshëm të mbushi stadiumin. Kështu që mos ia lër publikut.
Si ndjehesh këtu? Kur jam këtu ka gjëra që mërzitem. Them do iki… Cfarë të pëlqen e cfarë të mërzit kur je këtu?
Elvana Gjata: Çfarë më mërzit? Po s’jam e lirë që të bëj gjërat që dua. Edi Rama: Po çfarë do të bësh ti që po të pengojmë ne?
Elvana Gjata: Po të hidhem përpjetë, në mes të rrugës, se bëj dot. Se do gjykohem. Do të thonë “luajti mendsh Elvana”.
Edi Rama: Si të hidhesh përpjetë në mes të rrugës?
Elvana Gjata: Të hidhem të kërcej. Mund ta bëj?
Edi Rama: Të hidhesh e të kërcesh në mes të rrugës mund ta bësh pa asnjë problem. Dhe bile do thonë ta provojmë dhe ne…jo realisht s’je e lirë që të shqetësojnë në momente të caktuara dhe të thonë hajde bëjmë një fotografi, hajde më jep një autograf; të të puth pak a ku di unë, apo…
Elvana Gjata: Kjo është dihet, është dhe kjo dhe jam mësuar me këtë gjë tanimë. Gjërat që më mërzisin kanë të bëjnë me mentalitetin dhe pozicionin e femrës në Shqipëri. Këto gjëra më mërzisin.
Edi Rama: Mendoj ta rishikosh këtë bindje se unë kam një bindje që shqiptarët janë shumë po shumë më të emancipuar sesa i tregojnë, ose i mendojmë në sensin që te tjetri nuk pranojnë tjetrin, mund të ketë një pjesë konservatorë brenda shtëpisë me vajzën e gruan e tyre, por tek tjetri, tek tjetra nuk mendoj se shqiptarët kanë problem të pranojnë lirinë e tjetrit.
Ajo që e bën të ngatërruar shpesh ose gjithmonë është ajo e shqiptarëve që kanë zë, mikrofon, penë në dorë që shkruajnë apo shprehen në rrjetet sociale që të krijon përshtypjen se ashtu është e gjithë shoqëria por që nuk është e vërtetë. Cuditërisht ata që janë si më gjoja intelektualë janë edhe më problematikët në raport me këtë.
Janë edhe abuzuesit më të mëdhenj me tjetrin, më paragjykues, më akuzues dhe fabrikues që i ngjeshin tjetrit gjëra që as i kanë shkuar nëpër mend. Por në nivelin e shoqërisë nuk mendoj se do ta kesh këtë problem sepse shoqëria është shumë më pranuese. Nuk e kanë shqiptarët këtë problem. E kam besuar gjithmonë këtë. Janë shumë më pranues.
Elvana Gjata: Eksperienca ime në fakt më ka bërë të kuptoj jo totalisht këtë që thua se paragjykimi ekziston gjithë kohën…
Edi Rama: E cfarë paragjykimi kanë për ty përshembull?
Elvana Gjata: Jo për mua si Elvana. Po flas në përgjithësi.
Edi Rama: S’është e vërtetë. Po nga se nisesh? Nisesh nga disa hajvanë që shkruajnë në Facebook. Ata janë në hall shumë të madh dhe që merren me nxjerrjen e mllefeve ndaj të tjerëve dhe ndaj vajzave dhe artistëve. Janë në hall të madh. Gjyshja ime thoshte: inati është e zeza e atij që e ka, gjynah thoshte. Kështu që nuk janë ata. Nuk është ajo shoqëria. Fakti që mbush një stadium është boll tregues. Nuk kanë asnjë problem. Mendoj unë. Po momenti më i bukur? Cfarë nuk të pëlqen nga Shqipëria nuk ma mbushe mendjen dhe më vjen mirë që s’ma mbushe mendjen sepse nuk ka asnjë gjë thelbësisht problematike për të mos u pëlqyer. Por cfarë të pëlqen më shumë? Se stadiumi është kryeveper…
Elvana Gjata: Stadiumi është kryevepër dhe ajo që unë kam krenari është që edhe me kolegët e mi të huaj jam e gëzuar që ka ardhur dita t’u them se po bëj koncert në stadium në Shqipëri sepse edhe pse kemi ndjekur nga ekrani apo live koncerte të artistëve të mëdhenj dhe shikoja dhe më mbushej shpirti dhe mendoja që do ta bëja dhe unë këtë gjë. Dhe erdhi dita. Është e jashtëzakonshme në fakt.