Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, thotë se Shqipëria mund të jetë surpriza e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Duke folur për mediat italiane për progresin e tij te Lecce dhe ambientimin, Ramadani u pyetur edhe për shortin e “Euro 2024”, ku kuqezinjtë janë në grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

“Sigurisht që mendoj për Europianin. Jemi në një grup shumë të komplikuar, por ne mund të jemi surpriza. Skuadra jonë ka një grup që mund të bëjë shumë mirë, shumë prej nesh luajnë në ligat kryesore evropiane edhe djemtë e rinj mund të bëjnë gjithashtu shumë mirë. Do të jetë një aventurë e madhe”, tha Ramadani.

Ndërkombëtari shqiptar u shpreh se trajneri D’Aversa e ka ndihmuar shumë që të ambientohet tek Lecce.

“Unë dhe familja ime jemi vendosur mirë, skuadra më priti në një mënyrë të shkëlqyer. Unë nuk ndihem si lider, ka shumë liderë në dhomën tonë të zhveshjes. Është e qartë, megjithatë, ky rol kërkon një personalitet të madh. Ndihem mirë. Mesfushori qendror është një pozicion që më pëlqen dhe duhet ta pranoj se D’Aversa më ndihmoi shumë. Ai më shpjegoi se çfarë dëshiron nga unë dhe në cilat aspekte mund të përmirësohem. Unë zura vendin e një lojtari si Morten, i cili ishte i preferuari i tifozëve vitin e kaluar, por është edhe falë mbështetjes së tyre që pata një paraqitje të rëndësishme. Mbështetja e tyre më shtyu, ditë pas dite, të jap gjithçka”, deklaroi ai.