TIRANË-Dy tryeza të veçanta janë mbajtur sot me temë gruan dhe dhunën në familje. Partia Socialiste zhvilloi një aktivitet për fenomentin e dhunës ndaj gruas me një panel të gjerë të ftuarish, dhe po kështu dhe LSI mbajti një tryezë me tematikë, “Për një shoqëri aktive.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta kërkoi sot reformimin e kodit të familjes dhe të kodit penal për të bërë të mundur parandalimin e dhunës në familje.
Duke folur në tryezën e LSI-së, “Për një shoqëri aktive”, Meta kërkoi edhe kufizimin e lojërave të fatit pasi sipas tij ky është një fenomen që nxit dhunën në familje.
“U tha me të drejtë që një pjesë e dhunës në familje vjen nga varfëria apo nga divorci, por është edhe një problem tjetër dhe kjo është hapja e kazinove dhe lojërave të fatit. Kjo është një epidemi masive e cila bën që shumë persona të humbasin të ardhurat e tyre dhe një pjesë e këtyre shqetësimeve është nga këto përplasje në familje. Ky është një fenomen që duhet të menaxhohet duke u kufizuar. Viti 2013 është shpallur si viti i luftës kundër dhunës në familje. Duhet të bëhet më shumë në drejtim të sensibilizimit në instancat më të larta dhe në hartimin e një pakete ligjore. Gjithashtu jam dakort për reformimin e kodit të familjes dhe kodit penal. Këto do të rrisin mundësitë për të parandaluar një dhunë në rritje në familje” tha Meta.
Sipas Metës, një bashkërendim i mirë midis forumeve për gruan dhe cështjet civile do të sjellë rezultat në uljen e rasteve ndaj dhunës dhe ndihmës së viktimave të dhunës.
“Unë besoj se shoqëria jonë i ka mundësitë për të shënuar një hap të rëndësishëm në këtë drejtim më shumë bashkëpunim dhe bashkërendim midis forumeve që merren me cështjet e gruas, por edhe të cështjeve civile, dhe sa më i fortë të jetë ky bashkëpunim aq më rezultative është puna”
Ndërsa, Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim Klajda Gjoshaj ka deklaruar se shoqëria duhet të zgjohet dhe të reagojë ndaj dhunës në familje.
“Duhet të zgjojmë shoqërinë shqiptare nga indiferentizmi dhe t’i themi stop dhunës në familje” tha Gjoshaj.
Tryeza e PS
Partia Socialiste zhvilloi një aktivitet për fenomenin e dhunës ndaj gruas. Në fjalën e tij kreu i PS, Edi Rama e vuri edhe njëherë theksin tek rritja e kriminalitetit në vend. Sic tha ai, “Shifrat e krimit sot janë më të lartat të ndodhura ndonjëherë përjashtuar vitin 1997”.
Sipas Ramës dhuna në shoqëri është një problem kompleks që lidhet me shumë aspekte të jetës.
“Domosdoshmëria për ta kthyer shtetin në detyrë dhe për të zbrapsur krimin është vetëm njëra anë e medaljes, sepse dhuna i ka rrënjët tek problemet sociale, tek ekonomia, varfëria papunësia, tek analfabetizmi, duhet të veprojmë konkretisht, me këtë problem duhet përballur drejtpërdrejt”, tha ai.
Xhaçka: Dhuna ndaj grave, mosfunksionim i ligjit
Në fjalën e saj deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhacka tha se gjatë vitit 2012-të që lamë pas 27 gra kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje.
Sipas saj mosndëshkueshmëria e dhunuesve ka bërë që numri i grave të dhunuara të rritet nga viti në vit.
“Ky fenomen është përgjegjësi e të gjithë neve, por mbi të gjitha e qeverisë për të ndërmarrë masat e duhura. Mungon vullneti i atyre që qeverisin për të ndaluar rastet e dhunës. Kryeministri i pari të mos përdorë fjalët më të shëmtuara për ndonjë grua, që kryetarja e Parlamentit të mos heshtë. Heshtja nuk u shërben atyre që ikën dhe sot vuajnë dhunën”, tha ajo.