Çdo ditë në mëngjes herët, një 80-vjeçar nga ata që nuk plaken lehtë, ndjen shqetësimin e një dite të re pune. Ç’ne punë në këtë moshë? Versnikët e tij i ndesh pa ndonjë qëllim të keq në baret e qytetit, apo në një shesh pushimi teksa kalojnë kohën duke biseduar me njëri tjetrin, e vërtitur në duar pse jo edhe tespijet. Ah ky 80-të vjeçar jo kështu, pasi i duhet të shpejtojë në punën e ngarkuar që e pret.
Kështu e konsumon ditën ky njeri i mirë, i drejtë, ngacmues i qetësisë së tij duke e lidhur kënaqësinë e një dite me dëshirë të plotësuar, me shqetësimin e e ditës së re që ka nisur dhe me ëndrrën për të gatitur më mirë të ardhmen. Ç’ne ëndrra një 80-vjeçar?! Për shumëkënd është një moshë që vështron atë që ka kaluar dhe me shpresë, ç’ti japë zoti ndonjë ditë më shumë për të jetuar. Jo Ramazan Ferra nuk është kështu. Mbetet i njëjti që në ditën e parë kur e bëri sefte punën dhe deri tani, që as e mendon qoftë edhe për një dekik se mund të ndahet nga ajo. Rrëmova gjatë jetën e tij, ashtu si një skaner në trupin e njeriut.
E kisha bërë më parë, kur qyteti e çmoi si anëtarin nderues të tij, e bëra edhe pak ditë më parë kur “Dyrrah” më ngarkoi t’i kushtohesha profilit të këtij 80-vjeçari punëdashës. E dilemat rrjedhin si lumë, që si një lojë shahu që mendon mënyrën e hapjes së lojës, ashtu edhe ne mbetëm me tundimin e fillimit të shkrimit. Një jetë e jetuar me të gjithë kompleksitetin e saj, moria e fakteve të pafund, uljet dhe ngritjet që ngjasonin me një det të trazuar, nuk janë të lehta për t’ia transmetuar lexuesit me të gjithë bukurinë, pse jo dhe dramacitetin e ofruar. Gjithsesi unë mbetem i mendimit; Ramazan Ferra është i njëjti. I njëjti me synimet dhe obligimet në jetë, në punë e kudo, aty ku do të ndjehej dora dhe vëmendja e tij.
Histori e dhimbshme
Biseda me Ramazan Ferrën, në këtë mes të vjeshtës së tretë të vitit 2012, thuret e këndshme, por edhe me tone të fuqishme realiste. Dramë, dhimbje, peripeci në ato që tregonte, por edhe forca, optimizmi dhe kurajoja ka vendosur mbi atë që ka kërkuar Ramazan Ferra në jetë. Familja e Jusuf Ferrës shpërngulet në Durrës në vitin 1905; vendndodhja e banesës në një vend dominues të qytetit, në atë që njihet Kodra e Moisiut. I jati i Ramazanit, hokatar dhe mjaft i përshtatshëm në mjediset tregtare dhe qytetare të Durrësit, lidhi jetën me Hafize Kazazin, vajzën e të famshmit Sefer Efendi Kazazit.
Familja e Jusuf Ferrës u shtua me tre djem dhe tre vajza: Manushaqja, Zyhraja, Meremja, Sejfullai, Ramazani dhe Rasimi. Ajo bashki që e nderoi me 26 tetor 2012 Ramazan Ferrën si nderin e qytetit të Durrësit, duhet të dijë se diku nga fillimi i viteve 30-të Jusufi ishte punonjës i bashkisë së Durrësit, së bashku me mikun e vjetër dhe të paharruar Qazim Keja. Por ndërkohë Jusufi kishte një sipërfaqe toke në zonën e Shkozetit, që në opinionin vendas njihet me emrin Rrota e Kuqe në sektorin Apolonia. Ramazani kujton, që baraket që shërbenin për periudhën e verës u bënë shtëpia e dytë e familjes Ferra.
Madje marina detare italiane pas pushtimit, kishte rezidencën e saj m’u përballë shtëpisë Ferra, po në buzë të detit. Koha e luftës për çlirim dhe emancipim njerëzor, e gjeti Jusuf Ferën dhe familjen tij pro lëvizjes patriotike për çlirim. Këtu zë fill edhe drama me familjen Ferra, sa e dhimbshme aq edhe krenare, që nuk mund të mos linte mbresa të jashtëzakonshme tek Ramazani. Dhe tani kur i kujton, zëri i dridhet, kujtimet freskohen si në rininë e hershme, a thua se përballë i dalin si papritur të gjallë njerëzit më të afërt, që koha natyrisht u ka rezervuar një vend krenarie në atë që quhet historia e luftës e popullit shqiptar. Ja edhe rrëfimi i Ramazan Ferrës për këtë histori të familjes, me përmasat e një drame të përjetimit tejet të veçantë.
“Zyhraja është ndër të parat vajza në Durrës, që u vendosën në skalionin e parë të luftës për çlirim kombëtar. Babai e përkrahu atë, duke u vendosur në pozicionin e korrierit në çetën e famshme të Pezës. Por më 12 janar 1944, kapet në befasi nga gjermanët, të cilët e torturojnë barbarisht dhe më pas e pushkatojnë. Por drama nuk mbaron këtu. Kur Zyraja shikon trupin e të jatit të masakruar dhe pa jetë, pëson një shok psikologjik që e vuan tërë jetën. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos në vitin 1948, mjekët jugosllavë kryejnë krimin tjetër duke e masakruar për së gjalli. Për Zyhra Ferrën bëhet fjalë edhe në romanin Rrethi i Kujtesës, si dhe në filmin me të njëjtin titull. Rasimi, vëllai i fundit teksa kthehej në shtëpi, shtypet nga autokolonat gjermane. Dhe kjo ndodhi pak muaj pas masakrimit të babait”,- kujton Ramazani.
Bashkëbiseduesi lotonte, teksa sillte ndër mend këto momente drithëruese të jetës së tij, të cilat sigurisht influencuan në reflektime humane dhe dinjitoze në tërë filmin intrigues të jetës së tij.
Fillimi
Më duhet të nënvizoj një dukuri, e cila shërbeu si nxitje për t’ju përkushtuar këtij personazhi aktiv dhe të veçantë. Ka një famë të madhe në Durrës, për të mos thënë edhe në të gjithë vendin. Kur thua Ramazan Ferra, nuk ka njeri në Durrës të të mos reagojë. Jeta e tij edhe dje, po edhe sot, madje edhe nesër është në lëvizje, në përpjekje teksa evidentohet shpirtmadhësia dhe zemërgjerësia për të punuar pa u ndalur, në shërbim të vetes dhe të njerëzve.
Po as nuk mund ta mendoja (veçse pasi qëndrova një gjysmë dite me të), për të prekur mrekullinë e një zemre që rreh gjithnjë për punën, për prodhimin e të mirave materiale, për rregullimin dhe ecurinë sa më joshëse të ekonomisë të familjeve që janë lidhur me të. Sepse do të dalin më pas këtu, kompania Ferra&Co është hapësira ku mbajnë të gjalla shpresat as më pak dhe as më shumë, por 100 familje durrsake. Por si nis jeta e këtij njeriu të paplakur, ku bardhësia e flokëve lidhet ngushtë me bardhësinë e zemrës së tij të pafund, me mirësinë dhe rrezatimin hyjnor të një personazhi që duket se lindi veçse të bëjë mirë, të bëjë ndere brenda nderit dhe perfeksionit të tij njerëzor.
Si nis jeta e këtij njeriu të paplakur, ku bardhësia e flokëve lidhet ngushtë me bardhësinë e zemrës së tij të pafund, me mirësinë dhe rrezatimin hyjnor të një personazhi që duket se lindi veçse të bëjë mirë, të bëjë ndere brenda nderit dhe perfeksionit të tij njerëzor. Fjalët e mira për Ramazan Ferrën janë plotësisht meritë e punës dhe karakterit të tij të palëkundur
Fjalët e mira për Ramazan Ferrën janë plotësisht meritë e punës dhe karakterit të tij të palëkundur dhe asgjë nuk kam të drejtë të shtoj jashtë kësaj. Por mundimi është, në se ia kam arritur të prek atë që duhet, të një njeriu që kurrë nuk ka kërkuar e kërkon të evidentohet dhe aq më pak t’i thuresh lëvdata. Ramazan Ferra i njëjti!
I njëjti kur nisi punën dhe brisku nuk e kishte “vizituar” fytyrën e tij të njomë dhe të pa vrarë, i njëjti kur u rrit dhe krijoi familje, i njëjti kur në kohën e komunizmit i ranë për të kryer 501 halle dhe ngarkesa, i njëjti edhe kur u bë gjysh dhe stërgjysh, i njëjti edhe në vitet delikate dhe të vështira të tranzicionit, i njëjti…, i njëjti…. deri në vijimësi. Motrat e martuara në Tiranë, nga fiset e njohura vendalije kryeqytetase Alla dhe Greva, motra Raja e paralizuar dhe gjithnjë e heshtur si dëshmi e gjenocidit të tmerrshëm jugosllav ende në minitaturë, vëllai Sejfullai edhe ky i ngarkuar me stres psikologjik, e ndërsa baba Jusufin dhe vëllain e vogël Rasimin nuk i kishte gjallë.
Dhe përsëri ky Ramazan Ferra mbeti i njëjti. Sepse nënë Hafizeja ishte e vetme dhe djaloshi 17 –të vjeçar, e ndjeu se barra e shtëpisë do të binte mbi të. Dhe mbeti i njëjti që në ditën e parë të punës në NISH Ofiçinën e parë diku nga viti 1948-49 dhe deri më 26 tetor të 2012-tës kur i dorëzohet edhe titulli “Nderi i qytetit të Durrësit”. “Mos është tepruar me mua deri këtu,- më thotë Ramazani,- me një urtësi ëngjëllore duke qenë fort i bindur se ka ende kohë për të vazhduar të punojë dhe vetëm të punojë, duke qenë dhe mbetur gjithnjë i njëjti.
“Zgjodha profesionin e tornitorit, sepse burri i Shaqes (motra e tij) Ibrahim Alla sa herë shkoja në Tiranë më dërgonte tek shokët e tij që punonin edhe ata si ai tornitorë. Kisha dëshirë t’i bëja zap hekurat, përballë një përbindëshi që quhej torno. E vendosa të bëhesha tornitor. Nuk flija gjumë nga dëshira dhe mezi prita t’i prekja hekurat e ftohtë, për t’i dhënë ngrohtësi nga trupi im i njomë. Rrija dhe mendoja: Do të bëhesha vallë si këta njerëz të fortë, që rrinin me orë të tëra për të nënshtruar metalin dhe për ta bërë ashtu siç e donte vullneti i tyre? Isha i vendosur. Dhe më dilnin para syve të mendjes, babai, nëna, vëllezërit dhe motrat dhe më duket se më thonin: po Ramazan, do t’ia dalësh, ne na ke pranë, guxo dhe ke për të parë se do të ndryshosh.”
Shenja në mjekër
Mall dhe lot shpirti për ustallarët e tij të parë. E mbajtën shumë afër dhe me pastërtinë e një shpirti kristal e ndihmonin me sa të mundnin. Si mund të harrohen Rexhep Kasa, Eqerem Nova, Janaq Xhako, Vasil Gjika dhe sidomos Sul Shtini që e donte dhe e trajtoi Ramazan Ferrën si birin e tij. Apo edhe njeriu flori Koço Shkurti, që ishte përgjegjës i tornerisë.
“Ah sa mall kam. E doja punën dhe punoja tërë ditën, duke mos e besuar se jashtë ishte errësuar dhe duhej të kthehesha në shtëpi. Pa më thënë kush, nuk i kisha lënë ustallarët më të vjetër të pastronin tornot, pasi kisha vendosur se për çdo ditë këtë duhej ta bëja unë. E përkëdhelja tornon sikur të ishte njeri dhe “bisedoja” me të. Në këtë ofiçinë riparoheshin makineri, kishte fonderi dhe torno. Nuk njoha ditë pushimi, as ditë të dielë. Sa lihej puna, kisha dëshirë të “krehja” disa detale, mjaft të besoja se po bëja atë që ma donte shpirti.
Pyesja shumë dhe nuk lodhesha së punuari. Fillova të bëj skicat e para dhe të vrisja mendjen, se si mund të bëhej më mirë. Edhe profesorët e mi të parë të hekurave, kur e vinin punën në vijë, përfundimin e një prodhimi të ri ma linin mua. Mbaj mend që po diskutohej prodhimi i pistonave për motorët diezel për lokomotivat. Ishin shumë të nevojshme. Kisha prodhuar më parë pistonat e motorave të makinave.
Për to flitej mirë në ofiçinë. Brenda 8 muajve isha rritur dukshëm në profesion dhe për këtë mu besua edhe një torno. Fluturoja nga gëzimi. Në këtë valë diskutimi, një mëngjes i bie derës së drejtorit dhe i them: Erdha për t’ju thënë, m’i besoni mua prodhimin e pistonave të lokomotivave. Mos u bën hiç merak, do t’i bëj një lloj të mrekullueshme siç kanë qenë.
Dhe të gjithë kishin besim, se do t’ia dilja. Edhe tani që kanë kaluar 64 vjet, nuk më shqitet nga kujtesa ajo që mora përsipër të bëja. Në kulmin e ngarkesës, kur po konkuroja edhe fizikun tim, këputem mbi torno dhe pjesa e poshtme e mjekrës më copëtohet mbi çelik. Dhe shkova në konferencë i mjekuar dhe jehona e këtij fakti mori dhenë. Dhe tani shenjë e kam, ja shikoje! Ishim një familje e madhe. Më shumë u gëzuan miqtë, shokët dhe ustallarët, se unë për suksesin e arritur.
Dhe medaljen e parë të punës e kam marrë 18 vjeç, duke i bërë jehonë punës që kryeja edhe në konferencën e parë kombëtare të novatorëve në vitin 1949.” Ramazan Ferra rritej jo vetëm në moshë dhe fizik, por edhe në profesion, në mendime, në psikologji. Nuk e njihte dështimin, sepse vriste mendjen se si mund t’ia dilte ndonëse vështirësitë dhe sfidat ishin të panumërta. Një mendje e tillë, një talent i tillë në profesion gjithnjë mbetet i vlefshëm për shoqërinë.
Polonia dhe sfida në ORMN
Zhvillimi i industrisë mekanike kërkonte edhe specialistë dhe kuadro të zot. Ramazan Ferra nuk kishte nevojë për të ndërmjetësuar studimet e tij jashtë shtetit, sepse rrugën e dijes dhe profesionit po e krijonte me punën e jashtëzakonshme, vullnetin e pamasë për t’u aftësuar në kudhrën e punës aktive, duke marrë leksionet e para të zanatit nga ajka e mekanikëve durrsakë në fundvitet 40-të. “Shkuarjen në Poloni e prita thjesht si një mundësi, për të rritur cilësitë profesionale.
Studiova për katër vite (1950-54) në universitetin e Ustroj-it, disa kilometra larg kryeqendrës së industrisë mekanike dhe minerare të Polonisë, qyteti i njohur i Katovicës. Praktikat mësimore i bënin në Glivic, duke ndjekur përpunimin e metaleve të nxehta dhe të ftohta. Post Polonia më gjeti, në uzinën më të madhe mekanike për kohën në Tiranë. Por hallet familjare më detyruan të kërkoja kthimin në Durrës, të cilin mezi e pritja. Dhe kështu ndodhi.
U caktova të punoja në ndërmarrjen e bonifikimit, prej të cilës u krijua ofiçina e riparimit të mjeteve të rënda të ndërtimit, e njohur në opinion me emrin ORMN.” Ramazan Ferra vazhdonte të ishte i njëjti. Ngarkohet me detyrën e përgjegjësit të repartit. Sa punë dhe lodhje, pasi 25 vjeçari Ferra i provokonte vetë ato. Me ndjenjën për punën, të fitores mbi vështirësitë, të vrasjes së mendjes për të adaptuar në kushtet konkrete të prodhimit, metoda efikase që zgjidhnin edhe problemet më të ndërlikuara reparti i tornerisë u bë nga më të njohurit në Durrës.
Një ditë e thërret Stefan Stavri, aso kohe drejtor i ORMN-së dhe i shpreh shqetësimin se reparti i riparimit të motorrëve është në vështirësi. Dhe Ramazan Ferra shkon atje ku hallet janë më të ndjeshme dhe suksesi kërkon novatorin, njeriun e mençur dhe të sakrificave. Brenda pak muajsh, arritjet zgjidhin nyjet e pengesave dhe ai mbetet sërish fituesi, sërish sfiduesi, sërish punëdashësi kokulur, gjithnjë i bindur se ky nuk do të ishte fundi i përpjekjeve të tij.
Por këto ecuri, gjithnjë bëheshin me kosto të lartë për shëndetin e tij. “Teksa qëndroja tërë kohën në punë edhe në dimrin e acartë,- kujton Ramazani,- kalova një ftohje të rëndë. Ia di për nder mjekut të të gjithë durrsakëve Koç Moisiut, që me përkushtimin e tij e kalova edhe këtë problem delikat për shëndetin. Por as kisha ndërmend të hiqja dorë nga sakrificat e mia për t’ia dalë, kudo që të më ngarkonin të punoja. Ndjeja kënaqësi, sepse pas më vinte një kolektiv i tërë, që kishte besim tek vetitë e mia krijuese dhe organizuese. Dhe kjo nuk është pak”.
Lidhja e veçantë me NSHMN
NSHMN-ja mbetet nga kapitujt më prekës, të këtij njeriu të përjetshëm të punës. Formimi i tij kulturor, teknik dhe profesional kishte arritur kulmin. E drejton përsosmërisht këtë organizëm ekonomik nga 1967 e deri në 90-tën. “E fillova punën në një mjedis të vogël, pa makineritë e nevojshme për të përballuar punën që kërkohej”,- thotë ai. Shumë shpejt kjo ofiçinë e vogël, nën drejtimin e Ramazan Ferrës, u bë nga ekonomitë më të fuqishme të vendit, balli dhe krenaria e Durrësit.
Ajo u kthye në shkollë ku u përgatitën armata e mjeshtrave të shquar të mekanisë durrsake, ku riparimet e thjeshta, u zëvëndësuan nga prodhime jetike për ndërtime të veprave të mëdha të transportit siç ishin hekurudhat, të veprave ujitëse siç ishin rezervuarët, të transportit të makinerive të rënda dhe të stërmëdha që i duheshin veprave të fuqishme energjitike të vendit. “6 muaj kam mbetur në Lezhë për të përfunduar në kohë segmenti nhekurudhor Laç – Lezhë.
Po kështu edhe kur ndërtohej hekurudha Librazh- Prrenjas. Vitin e ri e bëra në Pogradec së bashku me punëtorët, duke mos e parë familjen me sy për disa muaj. Puna ka afate dhe ato duhen zbatuar. Kjo ka qenë dhe mbetet motoja ime, e pa lëvizur, e patjetërsuar. Të gjitha linjat hekurudhore të vendit janë lyer edhe me djersën e punëtorëve dhe mekanikëve të NSHMN-së”,- nënvizon Ferra. Këto kujtime nxisin reagimin e tij. Fytyra i çelet dhe kujtimet ia brejnë memorien për të nxjerrë në pah më të mirën, më të bukurën dhe më të pëlqyerën.
“Se kishim të lehtë të prodhonim rimorkiot e para 20, 40 dhe 60 tonëshe. Heronjtë si Met Dervina me shokë kishin marrë përsipër transportin e vështirë të turbinave për hidrocentralin e Fierzës. Dhe ne u angazhuam t’i krijonim lehtësira këtij transporti. Dhe ia dolëm. Bashkëpunëtorë të mi u bënë kuadrot dhe mjeshtrat Gaqo Malaveci, Robert Huta, Ruzhdi Beqati, Bujar Kërtusha, Naun Xoxi, Eduart Gjoni, Fatmir Berisha, Gëzim Topi, Vilson Ibrahimi, Thoma Koroveshi, Petrit Koka, Koço Tatazi e shumë e shumë të tjerë. U prodhuan sitat e seleksionimit të zhavorrit”,- thotë Ramazani.
NSHMN nën drejtimin e tij u kthye në një park të fuqishëm mekanizues, duke përballuar detyra delikate dhe shumë të vështira në të gjithë Shqipërinë. Dhe këtë e bëri puna dhe djersa e njerëzve të shkëlqyer të punës nën drejtimin e Ramazan Ferrës.
Ferra&Co dhe familja, simbiozë e pandarë
Pasi drejtoi edhe për dy vite ndërmarrjen e bonifikimit, duke e kthyer në një bahçe me lule vijnë edhe vitet e tranzicionit demokratik të vendit. Jusufi, djali i madh i Ramazanit, i diplomuar për inxhinieri mekanike u përshtat shumë shpejt me kushtet e ekonomisë së tregut. Në fillim puna filloi me magazina të thjeshta duke sjellë nga importi prodhime ushqimore dhe industriale. Tani Ferra&CO është ndër kompanitë që është lider në ambalazhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore. Në makineritë moderne të saj, punojnë 100 punëtorë të cilët ndjehen të sigurtë edhe për të ardhmen ekonomike të familjeve të tyre. Dhe në ballë të drejtimit të punëve, është i njëjti- Ramazan Ferra. “Për sa kam punuar jam një brez i lodhur,- tregon Ramazani,- por dëshira dhe përkushtimi që kam patur në punë, mbeten të pandryshuar”.
Ka ëndrra Ramazan Ferra?
Po si nuk ka. Mezi pres që ta shikoj zhvillimin e mëtejshëm të kompanisë familjare Ferra&CO. Me siguri aktiviteti i saj, do të vijë duke u zgjeruar në sasi, cilësi, asortiment.
Ku je gëzuar më shumë?
Që punoj krah për krah me djalin tim Jusufin, duke i bërë sfidë kohës, pavarësisht nga mosha. E ndjej veten të ri.
Ke patur vështirësi të punosh: nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi tregu?
Përvoja e krijuar nga një punë e gjatë shumë vjeçare, më ka kalitur që të ambientohem dhe t’i përshtatem edhe aktivitetit të ekonomisë së lirë.
Mesazhi që përcjell Ramazan Ferra?
Duhet vlerësuar puna, e cila është nder. Ajo të kalit, të bën të jetosh në mënyrë të kënaqshme, të zgjat jetën. Prandaj duhet ta vlerësojmë punën.
Raporti me djalin e madh, Jusufin?
Jam gëzuar kur djali i madh, Jusufi, ka lindur. Jam gëzuar gjithashtu kur i ngjita emrin e babait. Më vjen mirë që është në jetë, në një hap me rrugën e babait të vet. I lidhur me punën, i palodhur, krijues. Është zemërgjerë dhe zemërmirë. I dashur me të gjithë.
Po me familjen?
Familja duhet të jetë krenar për babain e tyre. I kam dashur shumë që në moshë të vogël. Jam përpjekur që ato të arsimohen dhe të bëhen të vlefshëm për familjen dhe shoqërinë. Kam tre vajza dhe dy djem. Mimoza jeton dhe punon në Amerikë. Yllka është në arsim. Po kështu edhe Kejda është në profesionin e saj të ekonomistes. Me Jusufin dhe Erjonin jemi së bashku në kompaninë tonë. Kam 10 nipër dhe mbesa. Jam bërë edhe stërgjysh. Koneri ma ka bërë këtë nder. I jam mirënjohës edhe bashkëshortes time Lilit, që më përkrah dhe qëndron afër.
Heroi dhe nderi i qytetit
Mosha 80 vjeçare e Ramazan Ferrës e pozicionon atë në kalimin e disa periudhave jetësore kushtëzuar nga zhvillimet social historike të vendit. Jetoi periudhën e pushtimit italian të vendit dhe atë të luftës për rezistencë të popullit shqiptar, pjesë e së cilës ai u bë së bashku me familjen, duke e njomur me gjak lirinë kombëtare. Por ai punoi edhe në kohën e rimëkëmbjes së vendit dhe të asaj që quhet periudha e komunizmit në Shqipëri. Tani është në angazhime aktive edhe në pozicionimin e Shqipërisë në proceset demokratizuese dhe të orientimit ekonomik sipas parimeve të tregut të lirë. Punët e mëdha dhe të rëndësishme që ka kryer dhe kryen Ramazan Ferra, janë çmuar njëlloj, ndonëse në kthesa historike të vendit. Në këtë pikë ai mbetet i njëjti. Asnjëherë as dje dhe as sot, ai nuk është fshehur nën petkun e politikës dhe as nuk ka patur nevojë ta bëjë atë. Politika më e mirë për të ka qenë dhe mbetet puna dhe vetëm puna. Më këtë ka rritur fëmijët, ka mëkuar nipat dhe mbesat, ka krijuar mirëqënien e tij ekonomike, por edhe komoditetin dhe prestigjin e një emri shumë të nderuar dhe të respektuar. Ai ka veshur tërë jetën kominoshet dhe kostumin e punës, duke i mjaftuar kjo të jetë pranë shpirtit dhe botëkuptimit të tij, pranë amanetit të babait martir, të motrës heroinë e atdhedashurisë, të parimeve të trashëguara të familjes Ferra si njerëz të kësaj dere të njohur e të fisme, duke u adaptuar me normat e avancuara të qytetarisë dhe fisnikërisë të durrsakëve. Kaq i ka mjaftuar Ramazan Ferrës për t’u orientuar në jetë, duke kryer punë kolosale gjithnjë në dobi të komunitetit që e rrethonte dhe që bashkëpunonte me të. Ashtu siç ishte hero i punës në atë punë gjigande që kreu si drejtor i NSHMN-së (Ndërmarrje e Shfrytëzimit të Makinerive të Ndërtimit), ai mbetet i njëjti edhe si administrator i kompanisë së njohur Ferra&CO, e krijuar në bazë të treguesve të ekonomisë së tregut të lirë nga i biri Jusufi. Dhe cili më mirë se Ramazan Ferra mund të drejtonte këtë kompani biznesi, duke e udhëhequr drejt arritjeve të sigurta, duke provokuar një mirëqenie dhe stabilitet jo vetëm për ekonominë e tij familjare, por për të gjithë punëtorët si pjesë e këtij aktiviteti. Në mënyrë autentike, po vendosim dy motivacione të qenësishme në jetën dhe punën e Ramazan Ferrës. Njëra daton me 27 maj 1982 dhe është titulli i Heroit të Punës, dhënë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor për kohën dhe e dyta mban datën 26 tetor 2012, ku i është dhënë titulli Nderi i Qytetit të Durrësit, i dokumentuar me firmën e kryebashkiakut të tanishëm të Durrësit Vangjush Dako.
27 maj 1982
“Për punë dhe organizim shumë të mirë në realizimin ritmikisht të detyrave të planit nga ndërmarrja që drejton, duke zgjidhur mjaft probleme të rëndësishme për shfrytëzimin e makinerive të ndërtimit dhe prodhimin e makinerive e mekanizmave të reja. Si drejtues me talent dhe organizator, punon me këmbëngulje për t’i dhënë rrugëzgjidhje problemeve teknike. Ka dhënë një kontribut të madh në ndërtimin e hekurudhave Elbasan – Prrenjas, Fier – Ballsh, Laç – Shkodër.
26 tetor 2012
Bashkia dhe shoqata Durrësi, i akordon Z. Ramazan Ferrra, titullin “Nderi i Qytetit të Durrësit”. Motivacioni: “Për kontributin e rëndësishëm që jep në zhvillimin ekonomik të qytetit të Durrësit, mbështetjen e aktiviteteve në promovimin e historisë dhe kulturës qytetare durrsake, për vlerat e spikatura intelektuale dhe humane” . Në esencë janë e njëjta, sepse i njëjtë, i pandryshueshëm mbetet edhe angazhimi i Ramazan Ferrës. Puna nuk ka ngjyrim.