“Atyre ja fal, ja fal se janë viktimë. Po nuk ka arrit në botë që vajza me qetësinë më të madhe të vrasë se nuk do të fejohet. Nuk do të fejohet nuk do. Nuk po te çonte me dhunë, nuk te futi në makinë me dhunë për të çuar tek burri huaj. Dhe si e ka pas mbajt ai atë gocë si gocë e fundit.”

Vëllai i viktimës Pëllumb Meta, që u vra nga fëmijët në shtëpinë e tij në Shënavlash, i fal nipërit dhe mbesën për krimin e rëndë. Për vrasjen e të vëllait, Ramazan Meta fajëson bashkëshorten e të ndjerit, Blerinën.

Në një deklaratë për mediat, Ramazan Meta ka lëshuar akuza të forta në drejtim të kunatës së tij.

“Krejt pregatitja është nga e shoqja, fëmijët e kanë marrë përsipër kot atë punë. Arsyet i di ajo. Mua më vjen keq për fëmijët, i mori në qaf kot.”, tha Meta.

I prekur thellë nga vdekja tragjike e vëllait, që sipas Ramazanit është vrarë në gjumë, ai ka vetëm një apel drejtuar shtetit.

“Të dal e vërteta, pasi të dal e vërteta unë qetësohem. Ajo ka futur kalamajtë për të shpëtuar vetë por jo. Shteti ta mendojnë mirë ketë gjë, nuk hanë njeri bar sot, hanë të gjithë bukë.”, tha ai.

Një ditë më parë, në gjykatën e Durrësit, fëmijët e Pëllumb Metës e ndryshuan sërish dëshminë, pasi vajza 19-vjeçare Hygerta Meta e mori sërish mbi vete përgjegjësinë mbi vrasjen, ndërsa djali i madh Hyseni mohon të jetë ai autori.

Policia dhe Prokuroria e Durrësit, në bazë të provave shkencore, akuzojnë 24-vjeçarin si personi që ka shkrepi 4 herë armën mbi babain e tij, ndërsa është ndihmuar edhe nga vëllai më i vogël dhe e motra për groposjen e tij në kasollen e lopës.

Pëllumb Meta u vra në divanin e shtëpisë më datë 10 shkurt, ndërkohë që vetëm 10 ditë më vonë u zbardh nga policia fati i të ndjerit që ishte deklaruar i humbur nga familjarët.