Kukës, 16 prill 2014 – Vonesat e zakonshme të Hashim Thaçit nuk e kanë kursyer as shefin e qeverisë shqiptare, Edi Rama. Ky i fundit, sipas gazetares së “Zërit” që gjendet në pikën kufitare të Morinit, ka dalë të presë kryeministrin kosovar pesë minuta para kohës së përcaktuar. Mirëpo, Thaçi, si pothuajse në çdo aktivitet është vonuar edhe këtë herë, gjë që ka bërë që Rama, të presë jashtë për 20 minuta, ndërsa vazhdimisht binte shi i përzier me borë.
Vonesa e shefit të qeverisë së Kosovës siç duket është arsyeja pse as Garda e Republikës së Shqipërisë e cila sipas axhendës ishte parashikuar të kryente nderimet në pikën kufitare të Morinit, nuk doli fare. As takimi me Drejtorin e Doganës të Shqipërisë nuk u realizua, pasi të dy delegacionet qeveritare janë nisur menjëherë për në Pallatin e Kulturës së Kukësit, ku do të zhvillohej aktiviteti kryesor.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





