25shtator 2015 – Kryeministri Edi Rama, i cili nisi vizitën në Nju Jork iu adresua me një fjalë “World Leadership Forum”, me temë “Arti dhe politika”. Forumi është iniciativë e Organizatës për Politikë të Jashtme, një organizatë me në një historik 97 vjeçar, dedikuar zhvillimit të mendimit, kuptimit, informimit dhe pjesëmarrjes së publikut në politikën e jashtme dhe çështjet globale.

“Unë kam qenë artist, akoma më pëlqen të pikturoj dhe të vizatoj, vetëm se kam më pak kohë. Por edhe në politikë përpiqem gjithnjë të pikturoj me ngjyra, të vizualizoj si e duam vendin që të bëhet, të ndjej si e duam që të ndryshojë në një hap me botën rreth nesh.

Me këtë nuk dua të them se të gjithë kryeministrat duhet të jenë artistë, përkundrazi, është mirë që politika të mbledhë njerëz me background-e të ndryshme. Besoj se aftësitë që kemi në një fushë mund të na ndihmojnë, ose të na pengojnë në një tjetër, edhe pse pavarësisht gjithçkaje, artisti brenda meje nuk rri asnjëherë i qetë.”

Rama foli për vizionin e tij për Ballkanin, duke thënë se, në tablonë e tij ka një Balkan me paqe e të begatë. Megjithatë, kryeministri thotë se politika është një tablo që nuk përfundon kurrë, ndryshe nga vepra një artisti.

/portali DurresLajm/