Të gjitha repartet në spitalin rajonal të Durrësit janë vënë në gatishmëri për festat e fundvitit.

Alban Ramohitaj, drejtor i spitalit rajonal, deklaroi se për festat e fundvitit janë reduktuar në maksimum lejet për të gjithë punonjësit, ndërsa i gjithë stafi do të jetë në dispozicion të urgjencave apo të sëmurëve që do të paraqiten pranë bluzave të bardha gjatë ditëve të festave.

5 autoambulanca janë në gatishmëri 24 orë, ndërsa personeli është dubluar për të përballuar sa më mirë rastet, nëse do të ketë shtim të numrit të pacientëve.

“Urgjenca është pajisur me barnat e nevojshme, ndërsa nuk ka mungesa të ilaçeve në asnjë repart” garantoi Ramohitaj në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave, ku u diskutua për masat e marra nga drejtuesit e institucioneve me rastin e festave të fundvitit.

Materniteti, banka e gjakut, urgjenca, pediatria etj janë të gjithë në gatishmëri 24 orë.

K.H.