Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar që askush të mos e ofendojë UÇK-në, pasi sipas tij liria në Kosovë erdhi falë saj. Në një intervistë për RTV Dukagjini, Haradinaj foli rreth Kosovës së pas luftës dhe rreth sjelljes së pjesëtarëve të UÇK-së.
Haradinaj ka komentuar çështjen se a kanë bërë krime ushtarët e UÇK-së.
“Ushtarët gjithë kanë qenë qytetarë, para se me u bë ushtarë. Njerëz të zakonshëm, me punë të zakonshme, jetë të zakonshme. Një vit luftë i ka stër traumatizuar, popujt i stërvitin me vite të tëra dhe pas 6 muajve luftë i kthejnë tek psikologu dhe i detyrojnë me hy nëpër intervista me pa a janë në gjendje me vazhduar jetën e zakonshme.
Mua më vjen keq që Kosova nuk ka qenë shtet më funksional që me iu dhënë ushtarëve ndonjë punë, e jo me mbet sikur kanë mbetur. Krimet e pas luftës duhet me e dit gjykata, unë nuk e di që kanë bërë krime ushtarët pas luftës. Ndonjë gabim edhe mundet me ndodhë, por çka kemi bërë ne në Deçan, Pejë e Gjakovë, krejt të djegura? Mos e lëndoni UÇK-në, sepse je i lirë falë asaj dhe nëse e ofendon atë mund ta humbësh lirinë”, tha Haradinaj.