Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj pas takimit të Këshillit Drejtues të AAK-së ka bërë me dije se partia e ka autorizuar që të zhvillojë negociata për zgjerimin e koalicionit aktual. Po ashtu kreu i AAK ka bërë me dije se ka ambicie të jetë President dhe se për të kjo është “përgjegjësi e lartë dhe nder i veçantë”
Por, Haradinaj është kujdesur të thotë në postimin e tij se do të donte ta pasonte Thaçin vetëm pasi ky ta përfundonte mandatin e jo si pasojë e largimit nga Gjykata Speciale.
“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”- ka shkruar Haradinaj.
Ky pozicion i Haradinajt është bërë në kohën kur PDK-ja po diskutohet se do të futet në qeveri me ambicie po ashtu për postin e presidentit. Isa Mustafa ka kohë që nuk e ka përjashtuar mundësinë që ai personalisht të jetë President i ri, pasi Thaçi të përfundojë mandatin.





