Bashkimi Evropian tha se po ndjek me kujdes zhvillimet në veri të Kosovës të lidhura me funksionimin e shërbimeve që mbështeten nga Serbia.
Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, tha se këto çështje duhet të adresohen në kuadër të dialogut të Brukselit për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi duke ndjekur zhvillimet dhe jemi në dijeni për raportet për arrestimin e një drejtori serb të shkollës në Kosovë. Unë mund të rikujtoj se BE-ja ka qenë shumë, shumë e qartë se statusi dhe tranzicioni i disa shërbimeve të mbështetura nga Serbia, sidomos sistemi shkollor dhe edukativ, duhet të adresohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, paralelisht me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është obligim i kamotshëm i autoritetvee të Kosovës”, tha Stano, duke bërë thirrje për përmbajtje nga hapat e njëanshëm.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndërmarrë disa veprime në veri, që janë kritikuar nga faktori ndërkombëtar. Ekzekutivi kosovar ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mbyllur disa degë të postës serbe, si dhe institucione paralele, duke thënë se kanë cenuar kushtetutshmërinë e Kosovës.
Në shtator të këtij viti, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet arsimore dhe shëndetësore në veri, që funksionojnë sipas sistemit serb, aktualisht, nuk kërcënohen nga mbyllja e mundshme, por shtoi se serbët e Kosovës “duhet të jenë të gatshëm për një skenar që nuk do të na pëlqejë”.
“Hapat e njëanshëm që zvogëlojnë qasjen në këto shërbime, në shëndetësi apo shkollim, do të kishin efekt negativ në jetën e përditshme të njerëzve dhe në kushtet e jetës për serbët dhe komunitete tjera në Kosovë. Ky do të ishte dështim i Kosovës në respektimin e obligimeve nga procesi i integrimit të Kosovës”, tha Stano.