Tiranë, 31 mars 2014 – Për të disatin vit me radhë, raporti vjetor i Institutit të Shëndetit Publik për "Cilësinë e Ajrit në Tiranë 2013" jep alarmin se në kryeqytet ka ajër të rrezikshëm për jetën, ndërsa duket se vetëm qendra ka pasur një përmirësim në tri vitet e fundit.
"Stacioni i Tiranës qendër ka një ulje të shprehur të PM 10 e të PM 2.5 në ajër në krahasim me vitin 2011, në masën 20-30 për qind. Kjo si rezultat i 'hapjes' së qendrës për trafik normal, pas datës 15.11.2011. Edhe pse ka një përmirësim trevjeçar të përmbajtjes së grimcave në ajër, krahasuar me vitin 2011, Tirana vazhdon të mbetet një qytet me ajër të rrezikshëm për jetën në qendrën e saj. Indeksi shëndetësor i cilësisë së ajrit, mjaft i njohur tani në Amerikën Veriore, ka gjithashtu një përmirësim të masës rreth 10 për qind, por qëndron pranë atij që konsiderohet kufi i ajrit të rrezikshëm për jetesën e popullatës",- thuhet ndër të tjera në raportin 30-faqësh të ISHP-së.
Raporti vlerëson se krahasuar me një vit më parë, nuk ka përmirësim të përmbajtjes së gazeve në ajër.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





