Sëmundja Chagas, një infeksion potencialisht fatal i shkaktuar nga paraziti Trypanosoma cruzi dhe i transmetuar përmes pickimit të insektit të njohur si “buburreca puthëse” (Triatominae), mund të bëhet endemike në Shtetet e Bashkuara, sipas një raporti të ri nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Raporti, i botuar në revistën zyrtare të CDC-së, tregon se sëmundja tashmë është endemike në 21 vende të Amerikës Latine, ndërsa një numër gjithnjë e më i madh provash sugjeron se SHBA-ja nuk mund të konsiderohet më një zonë ku Chagas mungon.
CBS News raporton se rastet indigjene, pra të transmetuara brenda vendit, janë regjistruar në të paktën tetë shtete amerikane, kryesisht në Teksas.
CDC paralajmëron se prania e insektit bartës të parazitit është evidentuar në 32 shtete, përfshirë Kaliforninë, Arizonën, Tenesin, Luizianën, Mizurin, Misisipin dhe Arkansasin.
Paraziti transmetohet përmes jashtëqitjeve të insektit pas pickimit, duke depërtuar në trup kur njerëzit fërkojnë sytë ose kruajnë lëkurën në vendin e plagës.
Sëmundja nuk kalon nga një person tek tjetri, por pa trajtim mund të bëhet fatale.
“Sëmundja mund të dëmtojë nervat që kontrollojnë organet vitale si zemra, ezofagu dhe zorra e trashë.
Disa pacientë zhvillojnë komplikacione të rënda kronike në zemër dhe sistemin tretës,” tha për CBS News specialisti i sëmundjeve infektive Tom Moore.
Ekspertët theksojnë se ndërgjegjësimi dhe diagnostikimi i hershëm janë thelbësorë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të Chagas në SHBA.





