15 shtator 2015 – Skandali i vdekjes së 16-vjeçares Kostandina Anagnosti në spitalin e Sarandës merr përmasa edhe më të mëdha pas akuzave se mjekët shqiptarë ndryshuan kampionet e organeve të vajzës që u dërguan për ekspertim në Greqi.
Një raport i ekspertëve grekë të kriminalistikës, pjesë e Ministrisë së Brendshme, tregon se kampionet e organeve të ardhura nga Mjekësia Ligjore në Shqipëri nuk përputhen me kampionet që kishte spitali i Janinës pas kryerjes së autopsisë së 16-vjeçares në nëntor të vitit të shkuar, raporton “Mapo”.
Raporti i ADN-së mban datën 29 korrik 2015 dhe është firmosur nga mjeku Koukoubinos Georgios, i cili është kryekomandant i sektorit të analizës biokimike në Drejtorinë e Hulumtimeve Kriminalistike, e cila është në varësi të Ministrisë së Brendshme greke.
Sipas raportit të zotëruar nga “Mapo”, ekspertët grekë kanë arritur në konkluzionin se kampionet e gjakut përputhen me ato të 16-vjeçares, ndërsa kampionet e organeve, jo. Pasi shpjegohet metodologjia e përdorur dhe kampionet e krahasuara, doktor Koukoubinos Georgios arrin në dy konkluzione lidhur me materialin krahasues që i është nënshtruar analizës së ADN-së.
“Analiza e DNA e kampioneve 1A dhe 2A (gjak) dha një formulë të përbashkët STR, i cili i takon personit të panjohur femër. Tipi konkret shfaqet me dentësinë 1:1, fakt që shpreh tej çdo lloj dyshimi, se materiali biologjik që u izolua nga kampionet 1A dhe 2A vjen nga i njëjti person femër i panjohur 22268-A”, thuhet në përfundim të analizës së kampioneve të gjakut.
Por ADN-ja e kampioneve të organeve, ato që sipas ekspertëve përcaktojnë edhe shkakun e vdekjes së 16-vjeçares tregon se modelet krahasuese të përdorura, nuk përputhen mes tyre.
“Nga analiza e materialit biologjik që u shkëput nga kampionet 1B,1C,2B dhe 2C, nuk rezultoi event i vlerësueshëm pasi nuk u bë i mundur përcaktimi i një formule gjenetike, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura që u bënë”, shprehet mjeku grek pas analizës së materialeve krahasuese.
Mbi bazën e këtyre të dhënave, babai i 16-vjeçares dhe Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion hedhin dyshime të forta se kampionet që janë dërguar për ekspertim në Greqi nuk u përkasin organeve të 16-vjeçares Kostandina Anagnosti.
Në kallëzimin penal që tashmë është depozituar në Prokurorinë e Tiranës, avokati dhe babai i vajzës argumentojnë se Instituti Mjekoligjor i Janinës, pasi ka bërë përpjekje për ekzaminimin e kampioneve të organeve të vajzës, kanë konstatuar se ato ishin shumë të dëmtuara.
“Me kërkesën e kryer nga Instituti Mjekoligjor i Janinës, i cili ka kërkuar nëpërmjet Ambasadës greke për të vënë në dispozicion provat dhe për të dalë në konkluzion më të saktë, nga Instituti Shqiptar i Mjekësisë Ligjore janë vënë në dispozicion kampione të gjakut dhe pjesë të organeve”, thuhet në kallëzimin penal.
Më tej argumentohet se ekspertët grekë nuk kanë arritur në konkluzionin për të bërë ekzaminimin e këtyre kampioneve të ardhura nga Shqipëria, pasi këto kampione janë dëmtuar deri në degradim.
“Dyshimet e Institutit të Mjekësisë ligjore të Janinës i kanë detyruar ata të kërkojnë bërjen e analizës së ADN-së, me qëllim për të vërtetuar nëse kampionët e ardhura nga Shqipëria i përkasin viktimës Kostandina Anagnostit”, thuhet në kallëzimin penal ndaj katër ekspertëve mjekoligjorë shqiptarë.
Por sipas rezultateve të analizës së ADN-së konstatohet se kampionet e gjakut të Institutit ligjor të Janinës edhe ato të Institutit të Mjekësisë Ligjore Shqiptare janë të njëjta.
“Për pjesët e tjera të trupit, dhe organet e brendshme nuk rezultojnë të njëjta. Kjo do të thotë se veprimet e kryera nga ekspertët shqiptarë janë bërë me dashje, për të fshehur të vërtetën e ngjarjes së datës 15 nëntor, 2014, ku humbi jetën e mitura Kostandina Anagnosti”, thonë avokatët e familjes Anagnosti.
Në të njëjtin kallëzim ata akuzojnë ekspertët mjekoligjorë se kanë hequr organet e vajzës, me qëllim fshehjen e shkakut të vërtetë të vdekjes së saj.
Heqja e organeve është konstatuar në Institutin Ligjor të Janinës pasi, përpara se ta varroste, babai i vajzës ka kërkuar kryerjen e autopsisë në Greqi.
Ekspertët kanë konstatuar se 16-vjeçares i mungonin disa organe jetësore, çka sipas tyre e bënte të pamundur përcaktimin e shkakut të vdekjes së të miturës.
Çfarë ndodhi ditën e vdekjes së 16-vjeçares
Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria e Sarandës ka mundur të ndërtojë edhe dinamikën e ditës së vdekjes së 16-vjeçares, e cila ka ardhur në Shqipëri pa autorizimin e prindërve.
Nga deklarimet e Spiro Papës, mësohet se vajza ka kaluar kufirin më datën 14.11.2014, dhe ka shkuar te gjyshja e saj në fshatin Dermish të Sarandës.
“Spiro Papa mori vajzën gjatë paradites së datës 15 nëntor, në orën 11:00, nga fshati Dermish dhe u nis drejt për në Sarandë. Rreth orës 11:20, Spirua e ka dërguar vajzën te floktorja ose parukeria që të priste flokët, e cila ndodhet në rrugën e tretë pranë gjykatës. Pasi ka rregulluar flokët, vajza largohet nga parukeria në orën 11:50. Ndërsa në orën 12:00 shkoi te dentisti, i cili ndodhet përballë spitalit të Sarandës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Sarandës.
Vajza ka ndërruar vetëm llastiqet e aparatit të dhëmbëve te dentistja dhe rreth orës 12:30, e shoqëruar nga shtetasi Spiro Papa, u nis në drejtim të Janinës në Greqi, pa ndaluar askund. Por rreth 3.5 kilometra larg nga klinika e dentistit, në fshatin Metoq, sipas deklaratës së Spiro Papës dhe sipas policisë, vajza humbi ndjenjat dhe nuk u përmend më.
Spiro Papa deklaron se vajza pati dridhje të trupit dhe menjëherë humbi ndjenjat. Prandaj, sipas tij, ata u kthyen menjëherë për në urgjencën e spitalit të Sarandës. Pas mbërritjes në spital, vajza ishte e pajetë dhe vdekja e saj u konfirmua sipas kartelës klinike me numër 11717, e vitit 2014.
/portali DurresLajm/