Greqi, 3 prill 2014 – Shtet brenda shtetit. Kështu e cilëson policinë greke raporti më i fundit i Amnesty International, teksa i referohet rasteve të dhunës dhe keqtrajtimit ndaj emigrantëve dhe të burgosurve. Raporti bën fjalë për shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të njeriut nga policia dhe lidhjet e ngushta të saj me organizatën “Agimi i Artë”.
Në raport thuhet se në 3 vitet e fundit është shënuar një rritje dramatike e sulmeve raciste ndaj emigrantëve dhe ekstrakomunitarëve. Policia ka dështuar të parandalojë krime me bazë raciste ndaj komunitetit rom dhe nuk ka hetuar mbi motivet që nxisin urrejtjen etnike.
Lidhjet me Agimin e Artë janë vetëm maja e ajsbergut e një kulture pandëshkueshmërie të personave me uniformë që shkelin ligjin e ngulitur thellë në radhët e policisë greke. Raporti u referohet në veçanti katër rasteve të regjistruara muajt e fundit, vrasjen e këngëtarit Pavlo Fisa, krimin ndaj një emigrant pakistanez, rastin e një gruaje që gjuan me shkelm një vajzë të mitur rome poshtë Akropolit dhe vdekjen e të burgosurit shqiptar Ilia Kareli ose Kudret Kume.
Në të katër këto raste, policia ose ka qenë e pranishme dhe nuk ka reaguar ose gjatë hetimeve nuk ka marrë parasysh motivet që qëndrojnë pas vrasjeve dhe sulmeve apo sjelljeve ksenofobe. Për vdekjen e shqiptarit Kudret Kume pak ditë më parë në burgun e Nigritas raporti shkruan specifikisht:
“Në fund të muajit mars një i burgosur shqiptar u gjet i vdekur në dhomën e izolimit të burgut të Nigritas pak orë pasi u transferua aty. Sipas dëshmive, por edhe raportit mjekoligjor rezultoi se i burgosuri ishte dhunuar më shumë se një herë. Me akuzën e torturës me pasojë vdekjen u çuan për ndjekje penale gardianë të burgut të Nigritas dhe atij të Malandrinos”
Raporti sjell në vëmendje edhe një dëshmi të një të dënuari sirian në burgun e Korintit në vitin 2013.
“Polici filloi të më qëllonte me shkelma..U mundova të qëndroj pa lëvizur, por polici më qëllonte sërish. Kërkoi nga dy policë të tjerë të më çonin në një dhomë, ku nuk më shihnin të burgosurit e tjerë. Aty filloi të më gjuante me shkelma në kraharor, ndërsa një tjetër polic më qëlloi me grushta dhe shkelma në fytyrë”.
Raporti thotë se policia ka shfrytëzuar operacionet për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm për të përforcuar ndikimin e Agimit të Artë në shoqërinë greke, organizatë që kërkon dëbimin e të gjithë ekstrakomunitarëve. Ndonëse vetëm 7 për qind e ekstrakomunitarëve janë gjetur pa dokumenta sjellja ndaj të ndaluarve për verifikimin e tyre ka qenë e dhunshme.
/abcnews/





