Ministria e Brendshme reagoi të premten pas atyre që i quajti keqinterpretime të raportit vjetor të Drejtorisë Qendrore të Shërbimit Antidrogë Italian, duke sqaruar se Shqipëria nuk është më në listën e vendeve që kultivojnë kanabis.

“Shqipëria nuk është më në listën e vendeve që kultivojnë kanabis, e konfirmuar nga raporti i monitorimit ajror të Guardia di Finanza-s italiane, në fundvitin e kaluar. Kjo është një betejë e fituar në vitin 2017 dhe po konsolidohet në vitin në vazhdim kur jemi në zbatim të protokollit operativ për fluturimet ajrore duke monitoruar territorin me policinë italiane dhe asistencen e BE-së”, tha Ministria e Brendshme në një deklaratë të publikuar në faqen e saj zyrtare.

“Siç është pranuar, 2016 ishte një vit problematik për shumë arsye, që janë bërë pjesë e analizës së punës së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit dhe nuk rezultoi efikas në parandalimin e kultivimit të kanabisit. Por gjithsesi nuk mund të krahasohet me përmasat shqetësuese të fenomenit përpara 2013, e evidentuar nëraportet GdF. Kjo solli një sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike të gatshme për treg, në vitin pasardhës. Në vijim të një analize të thellë dhe të kujdesshme, Qeveria miratoi Planin Kombëtar Antikanabis 2017-2020,me përfshirjen e gjithë institucioneve dhe asistencë ndërkombëtare. Policia e Shtetit ka rritur bashkëpunimin me partnerët, kryesisht me Italinë në operacione të përbashkëta për të identifikuar dhe goditur rastet e trafikimit të narkotikëve.”

MB tha se siapas raportit, shifra prej rreth 90 ton kanabis evidentohet si e sekuestruar përgjatë gjithë 2017 në gjithë territorin kombëtar italian, dhe jo si sasi e trafikuar nga Shqipëria.

Në reagim thuhet se sipas Raportit, sasia e kanabisit e kapur në tentativë për trafikim nga Shqipëria është rreth 15 ton: “Në lidhje me vendet e paramenduara të prejardhjes së marijuanës së përcjellë nëpërmjet detit, sasitë më të mëdha vinin nga Shqipëria, i cili konfirmohet të jetë vendi i origjinës për pjesën më të madhe të sasive të kapura, prej 15.805,42 kg”.

“Këto sasi të kapura, janë fryt edhe i shkëmbimit të informacionit dhe operacioneve të përbashkëta mes Policisë italiane dhe Policisë së Shtetit, ku përgjatë vitit 2017 u realizuan 14 operacione të tilla”.