Banka Botërore vlerëson se Shqipëria rrezikohet njëkohësisht nga fatkeqësitë natyrore, të tilla si tërmetet apo përmbytjet si dhe nga kontratat tashmë famëkeqe të qeverisë Rama të prezantuara si partneritet publik-privat, të cilat akuzohen për korrupsion dhe klientelizëm.
Shqipëria, vlerëson Banka Botërore, rrezikohet edhe nga ndërmarrjet shtetërore, kompanitë e keqmenaxhuara politikisht të cilat krijojnë vazhdimisht borxhe, ndërsa volumi i tyre i borxheve të shënuara aktualisht arrin në rekorde historike.
“Rreziqet e brendshme burojnë nga fatkeqësitë natyrore, partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore, si dhe rreziqet fiskale që rrjedhin nga një sektor energjetik i bazuar në hidrocentrale të cilat varen kryesisht nga ndryshimet në kushtet hidrologjike,” shkruhet në një raport të Bankës Botërore të publikuar të enjten.
Togfjalëshi duket se vë me të drejtë shenjën e barazimit mes fatkeqësive që mund të shkaktohen nga fenomene natyrore dhe atyre të shkaktuara nga keqqeverisja. Për shembull, tërmeti që goditi Shqipërinë në vitin 2019 ka shkaktuar një masë dëmesh të vlerësuar në rreth 1 miliardë euro ndërsa kontratat e partneritetit publik-privat i kanë zhytur shqiptarët në një volum borxhesh faktike në rendin e qindramilionë eurove.
Seritë më kontroverse të këtyre koncesioneve, ato të ndërtimit të impianteve të menaxhimit të mbeturinave dhe ato të sektorit të shëndetësisë, janë hetuar tani nga prokuroria në disa procese hetimore për të zbuluar klientelizëm, fryerje kostosh dhe pagesa korruptive në përmasa të mëdha. Vetëm koncesionet e incineratorëve i kanë kushtuar deri më tani shqiptarëve rreth 150 milionë euro, ndërsa kostot vijojnë të rriten për taksapaguesit e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit e zonave të tjera për shkak se të njëjtat kontrata vijojnë të zbatohen pavarësisht kostove të fryra dhe mungesës së objekteve industriale që duhej të ishin realizuar me këto kontrata koncesionare. Ndërsa hetimi i prokurorisë për kontratën e sterilizimit zbuloi kosto të fryra shumëfish për taksapaguesit si dhe një rrjet kompanish false që shërbenin për të përvetësuar fitimet e nxjerra nga faturimet me çmime të fryra.
Por janë borxhet e stërmëdha të akumuluara nga ndërmarrjet e ndryshme shtetërore, në veçanti ujësjellësat, ato që kanë shtyrë ekspertët e Bankës Botërore të vendosin shenjë barazimi mes fatkeqësive natyrore dhe pasojave që pritet të ketë keqmenaxhimi i këtyre ndërmarrjeve për taksapaaguesit.