Kosova është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativëve që vijnë nga Rusia dhe Kina të cilat synojnë të nxisin luftë ndëretnike dhe ndërfetare në vend, të kriminalizojnë NATO-n dhe të ulin besimin e shoqërisë në integrimet euroatlantike, si dhe të pasqyrojnë SHBA-në si shembull të keq.
Këto ishin gjetjet kyçe të raportit “Vorbulla e rrenave” lidhur me dezinformimin, që është hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), dhe që është mbështetur nga Bashkimi Evropian. Raporti ka gjetur narrativë e cila synon të kriminalizojë NATO-n, duke e parë si diçka të dëmshme për Kosovën. Gjatë analizës janë identifikuar 44 artikuj si materiale që shpërndajnë propagandë prej jashtë, janë gjetur 14 publikime të cilat pretendojnë të dëmtojnë sigurinë e shtetit të Kosovës, ndërsa hartuesit e raportit thanë se ka pasur qindra materiale të tjera të cilat janë shpërndarë lidhur me ekonominë dhe pandeminë COVID-19.
“Ka një narrativë e cila synon të nxisë luftë brenda Kosovës, ka një narrativë e cila synon që NATO-ja dhe BE-ja e përkrahin vetëm komunitetin shqiptar në Kosovë dhe jo komuniteti serb në Kosovë, ka një narrativë që synon të kriminalizojë NATO-n”, tha Kreshnik Gashi, kryeredaktor përgjegjës në Kallxo.com, gjatë prezantimit të raportit të hënën në Prishtinë.
Ky raport është publikuar pak kohë pas paralajmërimeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Rusia po synon të nxisë konflikt mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. BE-ja ka ndarë këtë shqetësim të Ukrainës, ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit, i thanë Radios Evropa e Lirë se ndikimi malinj rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor pengon rrugën e shteteve drejt integrimeve euroatlantike. DASH u shpreh se pikërisht ky ndikim tregon urgjencën e punës që po bën Uashingtoni për të luftuar ndikimin rus. Për synimin e Rusisë që të nxisë konflikte në rajon, foli më 19 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Moska po dëshiron të ndezë “një vatër krize në oborrin e Bashkimit Evropian” me qëllim që “ta shpërqendrojë NATO-n”.
Mbështetja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është përkthyer si tentativë për përkrahjen e një lufte të shqiptarëve kundër serbëve.
“Një tjetër narrativë që nuk është e madhe në numër brenda Kosovës, por është gjeneruar pas krizës në veri e i cila ka synuar të tregojë që NATO nuk është duke përkrahur komunitetin shqiptar në veprimet që janë duke i bërë në veri, por po i përkrah serbët dhe kjo na jep sinjalet e para që në pjesën shqiptare ka nisur të zhvillohet një narrative kundër NATO-s dhe BE-së”, tha Gashi.
Në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, që nga fundi i majit janë rritur tensionet, me serbët lokalë që kanë kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë. Po ashtu, një grup serbësh të armatosur në shtator sulmuan Policinë e Kosovës. Kosova për këtë sulm ka bërë përgjegjëse Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Një tjetër narrativë e cila është identifikuar në raport është ajo kundër integrimit në Bashkimin Evropian, duke synuar të portretizojë BE-në si diçka të keqe për Kosovën. Sa i përket narrativit kinez në Kosovë, sipas raportit, pika e parë është promovimi i Shteteve të Bashkuara si diçka e keqe dhe si vend që ka kriminalitet të lartë dhe probleme me sundimin e ligjit. Pika e dytë është promovimi i informacioneve rreth shëndetësisë në Kinë, ndërsa e treta është promovimi i Kinës si vend i zhvilluar prodhimet e së cilit duhet të blihen.
Sipas raportit, mediat në Kosovë nuk kanë standarde për trajtimin e narrativit kinez. Raporti i cili ka 102 faqe, tregon edhe për synimin e nxitjes së dhunës dhe urrejtjes midis komuniteteve fetare në Kosovë. Raporti identifikon që Kosova është e brishtë dhe nuk ka kapacitete për t’u përballur me dezinformata të cilat vijnë nga Rusia.
Gjatë prezantimit të raportit, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se Kosova është e prekur nga ndikimi i jashtëm dhe propaganda që synojnë të pengojnë integrimet drejt bllokut evropian. “Raporti tregon se Kosova është e prekur nga ndikimi i jashtëm dhe nga propaganda kundër integrimit që gjerësisht synojnë të pengojnë integrimin e Kosovës në BE dhe NATO. E dimë që shumica e qytetarëve të Kosovës janë në favor të integrimit të Kosovës në BE, mbi 90 për qind dhe ne jemi mirënjohës. Ne duhet të ruajmë këto shifra”, tha ai.
Szunyog tha se duhet të krijohen strategji për edukim medial, duke theksuar se ka mungesë të mendimit kritik, kur audienca has në lajme të rreme. “Raporti thekson se në disa raste mediat u bënë krijuese dhe amplifikuese të dezinformatave. Për shkak të shtrirjes së madhe të internetit në Kosovë dhe përdorimit të rrjeteve sociale, shpërndarësit e lajmeve të rreme kanë gjetur platformat e rrjeteve sociale si tokë pjellore për të shtyrë përpara agjendat e tyre malinje për të krijuar konfuzion tek audienca se cili lajm është i vërtetë e cili është i rremë”, tha ai.
Shefi i BE-së po ashtu paralajmëroi se mediat kanë shpërndarë narrativë të rrezikshëm që mund të rrisin tensionet në Kosovë. “Një tjetër gjetje e rëndësishme e raportit është se mediat kanë shpërndarë dezinformata lidhur me shpërthimin e një lufte mes Kosovës dhe Serbisë. Këta narrativë janë të rrezikshëm dhe mund të nxisin tensionet. Sot Evropa sfidohet nga politikat nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë. Si një shoqëri multietnike, Kosova nuk duhet të lejojë që të ndikohet nga dezinformatat nacionaliste”, tha ai. Raporti me titullin“Në vorbullën e rrenave” identifikon në mënyrë specifike se kush janë rrjetet, mediat sociale dhe njerëzit që shpërndajnë dezinformata në Kosovë, tha Jeta Xharra nga BIRN.
“Në këtë raport e kemi bërë një hartë të formave të ndryshme të dezinformimit në Kosovë, të keqinformimit, propagandës e narrativëve që i ndodhin Kosovës prej faktorëve të brendshëm edhe të jashtëm. Shpesh këto dezinformata vijnë me qëllim dashakeq, që kanë qëllim të ndryshojnë kahen e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike në një anë, e në anën tjetër kanë qëllim të rrisin tensione brenda komuniteteve dhe grupeve të ndryshme në anën tjetër”, tha Xharra. “Raporti është i pari i këtij lloji në Kosovë, ka pasur raporte të dezinformimit, por jo duke i identifikuar me fusnotë specifikisht në 100 faqe dhe 345 fusnota të këtij raporti identifikohen specifikisht kush janë rrjetet, mediat sociale, njerëzit që shpërndajnë rrena, të pavërteta apo dezinformata në Kosovë”, shtoi ajo.
Raporti është hartuar gjatë periudhës nëntor 2022-prill 2023 dhe rekomandon veprime për institucionet e vendit si dhe mediat. Rekomandimet ndër të tjera parashohin ngritje të kapaciteteve për trajtim të dezinformatës, program për trajtimin e lajmeve të rreme prej kohërave të hershme në edukimin e njerëzve, financim dhe trajtim të dezinformatave si dhe politikanët të mos i përdorin lajmet e rreme si mjet për të sulmuar kundërshtarët.