BRUKSEL- Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ESI, një organizatë jo-fitimprurëse institucioni që shqyrton rrethanat në Ballkan dhe politikën e BE-së ndaj rajonit, ka dalë kundër pezullimit të mundshëm të regjimit pa viza për Ballkanin Perëndimor.

Në një dokument të kësaj organizate publikuar nga Balkan Insight, theksohet se pezullimi i këtij regjimi, përveç se i padrejtë, do të dëmtojë kredibilitetin e BE-së. 

Në dhjetor 2009, Bashkimi Europian hoqi vizat për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, duke i lejuar ata që të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza. Shqipëria dhe Bosnja përfituan të njëjtën gje vitin e ardhshëm.

Që atëherë, Serbia dhe Maqedonia kanë marrë ankesa nga Suedia, Belgjika, Gjermania dhe vende të tjera europiane në lidhje me shtimin e kërkesave për azil, kryesisht për romët.

ESI shton shqetësimin për pezullimin e lëvizjes pa viza, nisur nga rritja e kërkesave për azil dhe propozon dy alternativa për të shmangur problemin, që nga shkurtimi i kohës për marrjen e azilit.

Eurostat, zyra e statistikave e Bashkimit Evropian, thotë se në tre muajt e parë të vitit 2012, 3.390 njerëz nga Serbia kërkuan azil në BE. 
Maqedonia numëron 1.100 azil-kërkuesit në tremujorin e parë të këtij viti, Shqipëria 865, 600 nga Bosnja dhe Hercegovina. Kosova, e cila ende nuk ka marrëveshje pa viza me BE-në, ka 1.970 kërkesa.