Fondi Monetar Ndërkombëtar, po zhvillon takimet pranverore, ku marrin pjesë përfaqësues të 190 shteteve anëtare, në mesin e të cilave është edhe Kosova.

Gjatë kësaj jave, FMN-ja ka publikuar raportin e saj për perspektivën ekonomike globale, si dhe raporte të veçanta rajonale.

Fondi Monetar ndërkombëtar (FMN), ka publikuar të premten raportin rajonal për perspektivën ekonomike të Evropës.

Siç patën treguar edhe të dhënat e raportit global, Evropa ka mbetur mjaft mbrapa sa i përket rimëkëmbjes nga pandemia.

Nëse krahasohen shifratt me Amerikën, rritja në Evropë gjatë vitit 2023 ka qenë 0.6 për qind krahasuar me Amerikën 2.5 për qind, ndërsa inflacioni 6.3 krahasuar me 4.2.

Projeksionet parashohin ngushtim të këtyre dallimeve, megjithatë kanë dalë në pah rrethanat që janë më ndryshe dhe problematike të Evropës, duke filluar nga fragmentimi gjeostrategjik, invazioni rus i Ukrainës, e varshmëria e madhe energjetike e Evropës.

Sipas raportit, në Evropë investimet private janë mjaft të ulëta e po ashtu ka rënie edhe prodhimtaria.

Pagat janë rritur relativisht, por siç vlerësohet, niveli i të ardhurave për kokë banori në Evropë është shumë prapa kufirit global dhe nuk parashihet që brenda këtij horizonti të parashikimit të zvogëlohet ky hendek.

Në këtë raport s’ka pasur vlerësim konkret për Kosovën, por siç kanë thënë disa zyrtarë të FMN-së, Kosova s’mund të jetë ndryshe nga BE-ja dhe kjo për shkak të varshmërisë së madhe nga importi.

Duke qenë ekonomi konsumuese, ekonomia e Kosovës varet nga ekonomia e vendeve prej të cilave importon.

Nëse flasim për shifrat, rritja ekonomike e Kosovës më 2023, sipas FMN-së, është 3.3 për qind, e parashikimet janë që vitin e ardhshëm rritja të jetë 3.8 për qind, ndërsa më 2026 4.0 për qind.

Ndërkaq, inflacioni më 2023 sipas FMN-së ka qenë 5.2 për qind, me projeksion të uljes vitin e ardhshëm 3.5 për qind dhe një vit më tutje në 2.3 për qind.

Në prezantimin e këtij raporti që u bë në një konferencë për shtyp, drejtori i departamentit të FMN-së për Evropë tha se Kosova, duhet që theksin kryesor ta vendosë te rritja e prodhimtarisë dhe te disa reforma të fuqishme, frytet e të cilave do të shihen më ngadalë.

Ai ka thënë se ndonëse ka pasur rritje 3.3 për qind e do të ketë rritje në vitet në vijim, do të duhet shumë kohë që të regjistrohet kjo në mirëqenien e qytetarëve, e meqenëse shoku ekonomik nga pandemia ka qenë mjaft i madh.

Sa i përket marrëveshjes që Ministria e Financave zyrtarizoi të premten me Bankën Botërore, në vlerë prej 90 milionë eurove, ajo ka qenë e paralajmëruar ditë më parë.

Marrëveshje të tillë me FMN-në nuk do të ketë, pasi tashmë janë dy aktive të arritura nga viti i shkuar, njëra për zhvillimin e politikave fiskale dhe financiare dhe tjetra mekanizmi që ka të bëjë me investime në energjinë e gjelbër.

E pikërisht kjo marrëveshje që e ka paralajmëruar MF-ja me BB-në lidhet me politikat fiskale dhe rritjen e gjelbër.

Sa i përket energjisë, zyrtarë të FMN-së kanë bërë të qartë që përkrahjen e madhe që po e merr Kosova për rritjen e gjelbër, duhet që ta jetësojë sa më shpejt që të shmangë vendosjen e taksës së karbonit.

Kosova e ka kusht që më 2025 nëse nuk i arrin kuotat e duhura, do ta paguajë këtë taksë. Disa zyrtarë në takimet pranverore të FMN-së kanë thënë se nuk presin që Kosova t’ia dalë deri më 2025.