Kryeministri Edi Rama teka ka komentuar progres-raportin e KE ku flitej dhe për patronazhistët, u shpreh se është shumë krenar për ta.
Sipas kreut të qeverisë, pa patronazhistëtP PS sot nuk do të ishte në pushtet dhe shtoi se të gjitha partitë në SHBA e BE kanë sistem të tillë në stukturën e anëtarësisë.
“Që nga Shtetet e Bashkuara, në Britani, në Europën Perëndimore dhe Lindore, që është pjesë e BE. Nuk ka parti politike pa patronazhistë, mund të ketë emra të tjerë, por kanë kudo. Unë jam krenar për patronazhistët, më shumë para zgjedhjeve. Ne pa patronazhistët nuk do ishim një makineri politike, por një Foltore. Raporti flet për pretendime që po hetohen dhe jo për fakte”, tha Rama.
Më tej tha se për patronazhistët mund të hetohet, por sipas tij në bazën e të dhënave në PS nuk ka pasur kartat e identitetit të qytetarëve.
“Ne nuk kemi pasur në bazën tonë të të dhënave këtë element, kartat e identitetit, këto janë çështje që le të hetohen ne nuk kemi asnjë problem. Që ta përmbyll jam shumë krenar me patronazhistët më shumë se para zgjedhjeve, në këtë fitore kontributi i patronazhistëve është i padiskutueshëm”, tha ai.





