Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe në vendosjen e shtetit ligjor.

Është ky përfundimi në të cilin arrin raporti i ndërmjetëm i Komisionit Europian për Shqipërinë, që pritet të bëhet publik gjatë ditës.

Ashtu si në 2019-ën, raporti u sugjeron sërish vendeve të Bashkimit Europian të pranojnë rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.

Ndër të tjera në raport vlerësohen përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të ulur ndjeshëm numrin e aplikimeve për azil nga shqiptarët në vendet e BE-së.

Në vitin 2019 thuhet se vetëm 5.599 shqiptarë kërkuan azil, një rënie e dukshme nga 2017 kur u shënua kulmi me 7.633 aplikime për azil.

Problemet me azilkërkuesit shqiptarë ishin një prej shqetësimeve që parashtroi Presidenti francez Emannuel Macron, për të justifikuar JO-në e tij për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Më tej në raport vlerësohen edhe hapat e hedhur në Reformën në sistemin e Drejtësisë.

Theksohet se po vijon me ritme të kënaqshme, Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa janë ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli Lartë Gjyqësor dhe SPAK-u, të cilat tashmë funksionojnë. /Tv.Klan