Kandidati për deputet i PDIU-së në Durrës, Florian Tahiri deklaroi sot se gjatë periudhës që ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bashkisë nuk ka pasur ndërhyrje nga persona problematike.

I pyetur lidhur me faktin që presidenti Ilir Meta përcolli mesazhin për mbrojtjen e zgjedhjeve pikërisht nga Durrësi, Tahiri tha nga studio e lajmeve të MCN TV, se “ndoshta presidenti ka në konsideratë atë që ka ndodhur më parë ose dosjen 339”, por siç u shpreh ai në Durrës situata është shumë e qetë.

Intervista e Florian Tahirit në studion e lajmeve të MCN TV:

Si e komentoni faktin që presidenti e përcolli mesazhin për mbrojtjen e zgjedhjeve pikërisht nga Durrësi. Lidhet kjo me sinjalet që ai mund të ketë për parregullsi të procesit në këtë qark?

Tahiri: Ndoshta Presidenti ka në konsideratë atë që ka ndodhur më parë apo nga dosja 339. Por në Durrës situata është shumë e qetë. Qytetarët e Durrësit janë duke bërë atë që dinë të bëjnë më mirë, të jenë qytetarë dhe të ruajnë qetësinë. Gjej rastin t’i falenderoj për qytetarinë e treguar dhe jam besimplotë se kështu do të vazhdojnë deri në fund.

Durrësi është përfolur si një qytet ku politika dhe krimi kanë ruajtur raporte të ngushta. Ju keni qenë nënkryetar i Bashkisë Durrës për afro 5 vite. Si drejtues lokal e keni ndjerë presionin  apo ndërhyrjen e grupeve kriminale?

Tahiri: Unë flas si individ, për aq sa kam qenë në pozicionin e nënkryetarit të Bashkisë Durrës nuk kam pasur ndërhyrje nga persona problematikë. Kam pasur fatin të përfaqësoj qytetin duke bërë punën time dhe kurrë nuk më është qasur asnjë person problematik.

Do të doja të ndaleshim edhe tek ndryshimet që po ndodhin në Durrës, të cilat janë nisur që në kohën kur ju ishit nënkryetar, projekti i madh i Velierës, në zonën A të qytetit, zonë arkeologjike, apo projektet e propozuara për portin? Cili është mendimi juaj për to?

Tahiri: Në opinionin tim duhej të ishte spostuar 30 metra më tej, tek hyrja e portit në mënyrë që të mos cënonte Torrën, e cila sot ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Sidoqoftë Veliera ka kaluar dëgjesat publike dhe procedurat e tjera ligjore.  Nga ana tjetër dua të them që në programi  tim elektoral kam 3 pika kryesore që janë: Zgjidhja e Çështjes Çame;  Trashëgimia kulturore dhe turizmi; si dhe rinia dhe punësimi.

Promovimi i trashëgimisë kulturore të Durrësit do të sjellë rritje ekonomike për qytetin.

Përsa i përket porteve nuk jam kundër, por nuk duhet të cënojmë operacionet e biznesit. Pa u bërë porti industrial në Porto Romano s’mund të flasim për port turistik.

Në fund, cilat janë pritshmëritë juaj për këto zgjedhje? Sa mandate synon PDIU duke qenë se zgjedhjet e fundit nuk shkuan sipas parashikimeve?

Tahiri: Përsa i përket marrëveshjes me PD-në ne kemi të sigurtë 3 mandate, 2 në Tiranë dhe një në Fier. Ndërkohë që pretendojmë edhe 3 mandate të tjera në Durrës, Vlorë e në Elbasan. Në rang kombëtar ne përllogarisim të mbledhim 40-45 mijë vota. /mcntv