DURRES, 4 qershor 2014 – Në një sipërfaqe prej 4200 m2 pranë Lulishtes "1 Maj" Në Durrës, shtrihej ajo që sot cilësohet si "Pompeu" shqiptar (një lagje e tërë romake!) Po çfarë u zhduk? Çfarë kemi humbur së paku sipas shkresave? Një relacion (raport mbi kontrollin në sajtin arkeologjik më 11 qershor 2010) drejtuar Ferdinand Xhaferajt, ministër i Kulturës në atë kohë radhit vlerat e asaj trashëgimie kulturore që u varros, hedh dritë mbi mënyrën se si u punua, flet për shkelje të rënda, për hetime që duhej të merrnin jetë, për pezullime pune (që rifilluan ethshëm), për heqje licence e të tjera. Koha tregoi se asgjë nga këto nuk u bë, përkundrazi, dëmeve të bëra deri në qershor 2010 iu shtuan disa të tjera edhe më të rënda-zbulimi u mbulua si të mos qe kurrë, për t'u dhënë jetë godinave. Se cili është mëkati më i madh, i pari a i dyti, mbetet për t'u diskutuar, për aq kohë sa palët e përfshira në këtë debat, të rikthyer në vëmendje, sot, katër vite më vonë, shfajësohen dhe e degdisin fajin tek partneri i dikurshëm e armiku i sotëm. Një gjë është e sigurtë, mëkati është, ai që duhet gjetur është mëkatari.
Prof.Neritan Ceka (asokohe këshilltar i kryeministrit), Prof.Apollon Baçe (asokohe drejtor i IMK), si edhe arkeologët Luan Përzhita e Skënder Muçaj (i pari përgjegjës e i dyti specialist i Departamentit të Mesjetës në Institutin e Arkeologjisë) e përmblidhnin në tri fletë gjendjen e sajtit arkeologjik të sapodalë në dritë. Sipas tyre, shtresat arkeologjike i takonin: a)periudhës së Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës, periudhë që përfaqësohej nga një varrezë e gërmuar me skrep(!), e zhdukur dhe e pa dokumentuar dhe b) periudhës romake, që përmes disa fragmenteve qeramike shek.I-II (sipas tyre të painventarizuara) si edhe një banesë e pasur. Botojmë më poshtë dokumentin e plotë.
DOKUMENTI
INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS "GANI STRAZIMIRI"
Nr.588 Prt. Tiranë, më 17.6.2010
Lënda: Kontroll i gërmimeve arkeologjike të shpëtimit në Durrës
Drejtuar: Ministrit të MTKRS, z. Ferdinand Xhaferi
Për njoftim: Drejtorit të Trashëgimisë Kulturore, z. Ols Lafe
Kontrolli u krye në mbështetje të porosisë së MTKRS për kontrollin e gërmimeve arkeologjike të shpëtimit në qytetin e Durrësit, të sinjalizimeve të ardhura në IMK dhe të detyrës funksionale për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Ekipi i kontrollit përbëhej nga: Prof. Neritan Ceka, Këshilltar pranë kryetarit të Këshillit të Ministrave për problemet e kulturës, Prof. Apollon Baçe, Drejtor i IMK-së, Prof. Luan Përzhita, Përgjegjës i Departamentit të Mesjetës në Institutin e Arkeologjisë pranë QSA, Prof. Skënder Muçaj, specialist në këtë departament.
Ekipi kontrolloi më datë 11.06.2010, gërmimet arkeologjike në qytetin e Durrësit nga firma "Frashëri".
Gjatë kontrollit u konstatua se:
1. Territori në të cilin shtrihen gërmimet arkeologjike ndodhen në qytetin e Durrësit, në vendin e njohur si Lulishtja "1 Maji". Sipërfaqja e territorit të gërmuar është afërsisht 4200 m2, thellësia e gërmimit 1.8-2.5 m dhe thellësia e synuar 3 m. Si e tillë, masa e gërmuar është 12.000 m3.
2. Shtresa arkeologjike, e cila nis në thellësi 40-70 cm, ndahet në tri nivele. Niveli i parë (0.5/5 cm-1.311.8 m) i përket periudhës së Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës. Profilet e pakta in situ tregojnë se ai përfaqësohej nga një varrezë, sot e zhdukur e gërmuar me skrep dhe e pa u dokumentuar. Niveli i dytë i përket periudhës romake. Fragmentet e qeramikës të lëna mbi mure dhe të pa inventarizuara tregojnë se kjo shtresë u përket shek. I-II m.Kr. Me këtë nivel lidhen rrënojat e një ndërtimi masiv që zë pothuajse të tërë sipërfaqen e gërmimit dhe që mund të jetë një banesë e pasur.
3. Sipas, të dhënave verbale nga personeli i gërmimeve, ndërhyrja ka filluar rreth 3-4 javë më parë, por nuk ka avancuar për shkak të ujërave nëntokësore. Gërmimi i mirëfilltë ka filluar rreth 10 ditë më parë.
4. Sipas drejtorit të firmës 'Frashëri', Ing. (Gjergj Frashëri, në punime janë angazhuar dhjetëra inxhinierë dhe arkeologë, tre punëtorë gërmimi dhe firma ndërtuese ka vënë në dispozicion të tyre 20 punëtorë. Gjatë kontrollit u konstatua prania e një tekniku ndërtimi, dy punëtorëve, një punonjëseje me fakultet Histori-dega Arkeologji, një inxhiniereje dhe punonjësve të firmës së ndërtimit: ekskavatorist, drejtues makinerish për nguljen e pilotave dhe betonimin dhe personel ndihmës për këto veprimtari.
5. Kontrolli konstatoi se në anën perëndimore të zonës ndërtimore, rreth 3-4 m gjerësi, ende pa mbaruar procesi i gërmimit arkeologjik dhe pa marrjen e vendimit për ecurinë e mëtejshme, ka nisur procesi i pilotimit me pilota 7-8 m të thella, diametër 0.60 m dhe dendësi 1.3 m.
6. Volumi i shtresës arkeologjike prej rreth 8000 m3 është larguar me një ngarkesë rreth 270 m3/ditë për person (varianti me 3 punëtorë gërmimi). Një volum i tillë është 7-50 herë më i lartë se normat maksimale të gërmimit të thjeshtë të dheut dhe rreth 1000 herë më i lartë se gërmimi arkeologjik. Duke i shtuar këtë vërejtje, është e dukshme se gërmimi i shtresës arkeologjike është kryer me mjete të rënda mekanike. Kjo shihet qartë edhe në gjurmët e ruajtura në profilet e gërmimit (Tab. 2).
7. Nisur nga gjurmët, rezulton se me mjete mekanike është kryer gërmimi edhe në brendi të mjediseve të banesës romake, duke sjellë jo vetëm zhdukjen e objekteve të lëvizshme arkeologjike (tab. 4) por dhe dhunimin e shkatërrimin e strukturave të banesës (tab. 3 dhe 5):
8. Grupi kontrollit konstatoi se grumbullimi i materialit arkeologjik (qeramika, qeramika e ndërtimit, objektet e imta, skeletet) dhe vendosja e tij në ambalazhin përkatës është neglizhuar gati plotësisht. Materiali i pakët i mbledhur, i lënë mbi mure apo në magazinë, në kundërshtim me rregullat e gërmimit arkeologjik, është i painventarizuar.
EKIPI I KONTROLLIT ARRITI NË PËRFUNDIMET:
1. Gërmimet arkeologjike janë kryer në kundërshtim dhe në shkelje të plotë të normave të gërmimit arkeologjik dhe të restaurimit, si të legjislacionit shqiptar edhe ndërkombëtar.
2. Kjo shkelje parakupton nënshtrimin e firmës "Frashëri" ndaj kërkesave të firmës ndërtimore për përshpejtimin maksimal të afateve të gërmimit dhe mungesën e etikës dhe njohurive profesionale nga drejtuesi i firmës "Frashëri", z.Gjergj Frashëri.
3. Ka munguar plotësisht kontrolli i detyrueshëm i ASHA-s ndaj gërmimeve të firmës "Frashëri" dhe pilotimeve të firmës ndërtuese.
4. Z.Frashëri kërkoi largimin e grupit të kontrollit duke e quajtur dhunim të së drejtës private për këtë çështje, ku sipas tij duhet të ndërhynte policia.
NGA ANA E EKIPIT TË KONTROLLIT PROPOZOHET:
1. Pezullimi i menjëhershëm i punimeve.
2. Heqjen e licencës së Z. Gjergj Frashëri dhe firmës "Frashëri" për gërmim arkeologjik.
3. Ngarkimin me drejtimin e mëtejshëm të kontrollit të gërmimit Agjencisë së Arkeologjisë së Shpëtimit.
4. Nisjen e procesit penal ndaj firmës ndërtuese dhe firmës "Frashëri".
(Grupi i kontrollit dhe firmat e tyre, si edhe firma e vula e drejtorit të IMK-së, akademik Apollon Baçe)





