Tiranë, 5 shtator 2014 – Uealth-X, një organizatë globale e vlerësimit dhe hetimit të pasurisë që bashkëpunon me banka private, institute arsimore, organizata jo -qeveritare dhe kompani luksoze, ka publikuar raportin e saj vjetor “Uorld Ultra Uealth Report”, mbi pasuritë e individëve në mbarë botën.
Në këtë raport, që përbën analizën e vetme të pasurisë së individë, në fokus janë vetëm personat që kanë pasuri mbi 30 milionë dollarë. Pjesë e pasurisë nuk janë vetëm shumat bankare, por edhe aksionet në kompani të ndryshme, qendra rezidenciale e pasuri të tjera të patundshme apo koleksione arti apo çdo aset tjetër.
Në këtë raport, unik në botë në llojin e tij, thuhet se në Europë numërohen 53.441 multi-milionerë. 55 prej tyre gjenden në Shqipëri.
Shqipëria zë vendin e 37 në kontinent, përsa i përket numrit të multi –milionerëve. 55 të pasurit e vendit tonë zotërojnë në total rreth 7 miliardë dollarë, pasuri të deklaruar.
Ky klasifikim është lexuar si paradoks në media të ndryshme, për faktin se Shqipëria është një vend i vogël, ndër më të varfrit dhe me të ardhurat më të vogla për frymë.
E megjithatë ajo ka më shumë të pasur se Sllovakia, Qiproja, Bullgaria, Estonia, Maqedonia apo Mali i Zi. Mediat nënvizojnë edhe faktin se disa nga 55 më të pasurit e Shqipërise janë në politikë dhe kryesisht politikanë të majtë. Sipas tyre, më shumë se 40 janë socialistë ose ish anëtarë të familjeve komuniste.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





