Sakrificat e prindërve për fëmijët janë të papërshkrueshme. Sa u jemi mirënjohës prindërve tanë dhe sa fëmijët tanë do të jenë mirënjohës për ne? Bota ka ecur shumë përpara dhe së bashku me të ka ndryshuar mentaliteti i të qenurit mirënjohës. Kur mendon atë që të solli në jetë dhe të rriti me mund e djersë dhe vjen një moment që t’i e braktis është turp. Jeta është e tillë, që të kthen pas në atë që ke bërë. Po kështu është e rëndësishme të transmetosh tek fëmijët e tu atë dashuri që vetë ty t’u transmetua në vite nga prindërit e tu dhe si rrjedhojë ke një terren shumë më të mirë për të eksploruar. Ka shumë për të diskutuar për raste pozitivë dhe shembuj negative në këtë drejtim.

Vali Kura Dimroci:Mendoj se nuk ka fëmijë të mos jetë mirënjohës për prindërit, për sakrificat që kanë bërë sidomos kur bëhesh prind vetë.

Eliana Kadia:Shumë për të diskutuar mbi këtë temë, por unë do ta përmblidhja vetëm me një fjali sa më të shkurtër. PRIND, fjalë shumë e madhe dhe maksimalisht e RESPEKTUAR.

Eliana Kadia:Ka sa të duash raste barktisjeje, por vlerësimi im personal për fëmijët që braktisin prindërit e tyre është që këta fëmijë rrojnë kot në këtë botë. Të braktisësh prindërit e tu, do të thotë që je pa zemër sado të mirë apo të këqinj të jenë, me të mirat dhe të këqijat e tyre, unë do të thoja që i detyrohemi një gjë shumë të madhe në jetë; Ekzistencën tonë.

Albana Pupi Piho: Prindi është gjëja më hyjnore në këtë botë, respect, mirënjohje dhe shumë dashuri për ta, për mundin që kanë bërë për ne. Kur bëhesh prind vetë, normale që do të japësh më të mirën për fëmijën tënd. Jo, në asnjë mënyrë nuk duhet të hidhet poshtë, se po dëgjojmë edhe raste të braktisjes së tyre, por për mua pa ulur djemtë, vajza gjithmonë është për prindin.

Lavdije Shima Shyti:Sa janë në kohën e adoleshencës nuk e kuptojnë dashurinë e prindit, por kur e kalojnë këtë moshë i duan dhe i respektojnë ata. Kur martohen, vajzat edhe e kthejnë kokën prapa, ndërsa disa djem ndryshojnë, jo se nuk i duan prindërit, por nuk duan të prishin harmoninë e familjes së re. Po normale që ndryshojnë kur martohen, por edhe prindi nuk hidhet poshtë.

Linda Kadiu Hajdhi:Kush ka vajzën botën ka, ka thënë edhe Irma Libohova në këngën e saj dhe nuk ka pasur aspak gabim, vajza është për prindin më shumë sesa djali.

Alma Keta Oshafi:Gjithmonë debatoj lidhur me faktin vajzë, apo djalë. Them se ka më shumë lidhje me këtë fakt mënyra e komunikimit, ose e lidhjes që krijon nëna me fëmijët dhe jo fakti që është vajzë, apo djalë. Kam 2 vëllezër të mrekullueshëm, të cilët së bashku me mua përgjërohemi për prindërit tanë, sepse kështu jemi edukuar. A ka raste negative, sigurisht që ka, sidomos këto 20 vitet e demokracisë,por asnjë rast nuk i ngjan tjetrit, sepse edhe kushtet janë të ndryshme.

Cela Kastriot:Po ne çfarë bëmë kur u larguam nga atdheu në emigrim? I braktisëm të gjithë edhe prindërit, pavarësisht se më vonë u lidhëm përsëri. Kur u larguam nuk e dinim nëse do t’i shihnim më apo jo. Pra, aksioni i braktisjes ekziston, por mund të jetë si me dashje në raste të rralla, mund të jetë dhe nga detyrimi, nga kushtet e jetës, nga mundësia e pamundësia. Nuk është një temë e thjeshtë për t’u diskutuar. Dashuria ndaj tyre ekziston, por ne si krijesa kemi egon të kultivuar pikërisht nga prindërit dhe ambjenti në të cilin jemi rritur.

Adelina Gjojdeshi: Me sa di unë janë më shumë rastet negative. Do t'ju them unë një fakt. Emigrova e para ndërmjet viteve ‘90-91. Në janar u ktheva ndër të parat dhe e dini pse? Mos ma merrni për mburrje. U ktheva vetëm për prindërit e mi dhe sot e kësaj dite jam këtu me ta dhe nuk kam dëshirë të largohem. Jeta më duket e shkurtër dhe nuk dua t’i humb ata qoftë edhe për pak kohë. Sa të jenë gjallë.

Mimoza Saliaj:Nuk duhet bërë dallim midis vajzës dhe djalit, se kush janë më të mirë për prindërit. Mami im qëndron me vëllain dhe vëllai me nusen tregojnë një kujdes dhe respekt që më mrekullon. Është një lehtësi shumë e madhe për mua që jam aq larg dhe mbaj vetëm mallin për të. Rast tjetër në forum si një djalë që kujdeset aq shumë për nënën e tij kemi Indritin. Të gjithë e dimë sa ka bërë dhe bën ai për nënën e tij. Rast tjetër në forum si një vajzë që i është përkushtuar nënës së saj me dashuri dhe respekt kemi Albana Pupi Piho. Kjo vajzë nuk u lodh kurrë, duke i shërbyer nënës së saj çdo ditë. Mirënjohje nga unë për këto djem e vajza. Ju mund të jepni edhe shembuj të tjerë. Jam e bindur që ka me qindra.

Uliana Gjikopulli:Nuk jam aspak dakort me parafolësen Linda Kadiu Hajdhi. Është vetë natyra e femrës të jetë pak më e lidhur me prindërit. Përsa i përket lidhjeve dhe marrëdhënieve ndërmjet prindit dhe fëmijës, si me vajzën apo me djalin ka të bëjë shumë baza familjare. Në qoftë se rriten në një ambjent të shëndetshëm, gjithmonë ata do t’i duan edhe respektojnë prindërit e tyre. Nëna nuk e bën dallimin, por djali nga natyra është i ftohtë dhe të rrallë janë ata që nga një e mirë sociale dhe ekonomike kthehen tek një jetë paksa e vështirë për hir të prindit dhe jam e sigurt me shumicë votash që vajzat do ta bënin ndërsa djemtë jo. Kjo nuk do të thotë që djali nuk ndjen dashuri për prindërit, por thjesht ndryshon mënyra e të shprehurit.

Cela Kastriot:Nuk duhet të flas për raste të veçanta Adelina. Sot ndryshon shumë ky raport ndërmjet prindërve dhe fëmijës. Për ne prindërit është shumë e vështirë të pranojmë këtë ndryshim, sidomos brezi ynë që pësoi dhe kalimin nga një sistem social në tjetrin (diktatura-demokracia). Ne jemi rritur në një periudhë kur raportet zhvilloheshin pak a shumë në familje të ashtuquajtura "patriakale", sepse ishte sistemi që të jepte mundësi të kufizuara për jetën. Dihej pak a shumë që rrethi i mundësive dhe të ardhmes së fëmijëve ishte jo shumë larg nga familja. Kurse sot ndryshon. Mundësitë janë të pafundme dhe pa kufi (bota e lirë).  Natyra e femrës që është më e lidhur se mashkulli përsa i përket raportit me prindërit është thjeshtë instikti (nënë) i femrës, por jo që janë më të dashura se meshkujt.

Linda Kadiu Hajdhi:Personalisht Znj Uliana Gjikopulli, jam shumë e lidhur me prindërit e mi dhe megjithëse jetoj larg përsëri bëj të pamundurën që të jemi pranë njëri-tjetrit (nuk është e nevojshme të them se në çfarë mënyre). Filmat dhe këngët në shumë raste bazohen në jetën e vërtetë dhe unë prandaj vura vargjet e një kënge. Gjithsecili nga ne flet për këtë marrëdhënie nga këndvështrimi që e shikon. Unë fola nga përvoja ime, jo se kam vëlla. Kjo nuk do të thotë që ato që i jetojnë të dyja rastet nuk kanë të drejtë. Unë e respektoj mendimin tuaj dhe të shumë të tjerëve këtu në forum, pavarësisht nëse jemi apo jo dakort në shumë aspekte. Një nga arsyet kryesore që më pëlqen të jem këtu në forum është sepse shkëmbejmë mendime dhe eksperienca të ndryshme, të cilat na ndihmojnë pse jo, ta shikojmë jetën nga shumë këndvështrime.

Cela Kastriot:Kemi edhe një difekt ne prindërit, sepse klasifikojmë dashurinë që kanë fëmijët tanë sipas asaj që kush na qëndron afër na do më shumë. Kjo për mua është injoranca tradicionale që na kanë trashëguar dhe ne si prindër (unë dhe ime shoqe) e kemi luftuar që në fillim duke i edukuar fëmijët tanë me frymën e asaj që nuk pretendojmë asgjë nga ata. U themi vazhdimisht që kur të jenë në moshë të pjekur të mundohen të sistemohen “për hesap të vet” dhe kur të kenë mundësi të na kujtojnë. Ne na mjafton një telefonatë dhe t’i dëgjojmë të mirën.

Manai Durrës: Babai im më thoshte shpesh në biseda të ndryshme sikur djali im të mos jetojë me mua, unë do vdes 20 vjet më përpara dhe ne u edukuam me atë lloj edukate të bashkëjetesës me prindërit. Por unë tani them që djali im nuk do të jetojë me mua. Babai im më thotë se unë po e mësoj tim bir me këtë lloj ideje. Unë qesh. Jo, jo baba i dashur po filloj t’i mësoj vetes idenë se një ditë do të jem vetëm.

Voci Dekovelli:Prind, nënë apo baba janë fjalët e para që çdokush nga ne thotë të parën. Janë ata që na rritën dhe na edukuan në kohë të vështira dhe me shumë sakrifica. Sot ne jemi vetë prindër dhe fëmijët tanë u rritën më mirë se ne, por një gjë që ndryshon është se kërkojnë shumë dhe japin pak për të mos thënë të fundit që të lenë vetëm.

Iljaz Bajraktari:Ma paske marrë nga mendja këtë temë. Sapo pashë i ulur në një kafe një pjesë të një emisioni tek RaiUno me Mara Venier “Non c’e piu rispetto”, bënte fjalë për trajtimin që u bëhej të moshuarve në azile. Tmerr! Kishin filmime se si infermieret apo shërbyeset i trajtonin si kafshë deri dhe i rrihnin të moshuarit. Të them të drejtën u indinjova dhe nuk i shihja dot. Harrojnë se do plaken një ditë vetë.

Cela Kastriot:Atëherë miq, ndoshta është tronditëse kjo që po ju them: ua kam lënë familjarëve të mi me porosi dhe së shpejti do ta shkruaj dhe do ta noterizoj, që në qoftëse unë (në të ardhmen) nuk do të jem koshient të logjikoj dhe në rast të një sëmundjeje pa kthim, ose pa kurim që të më detyrojë të rri në krevat, jap konsensin, ose liri veprimi për familjarët që të ushtrohet autanazia me trupin tim dhe të gjejnë vendin ku të lejohet me ligj dhe ta ekzekutojnë, pastaj kremacion (djegie të trupit). Më falni për këtë diskutim, por e lidh me diskutimin që nuk dua të vë në sedër apo detyrim familjarët e mi edhe pse nuk kam minimumin e dyshimit të dashurisë së tyre kundrejt meje. Nuk dua të jem peshë e askujt.

Vilma Corapi:Temë shumë interesante, sidomos për ne emigrantët që jetojmë në ambjente ku dashuria për familjet zhduket çdo ditë. Besomëni ndonëse 20 vjet emigrim ne mundohemi çdo ditë të ruajmë sa më afër raportin prindër-fëmijë. Nuk mund të sjell shembull për temën, sepse fëmija im është akoma 12 vjeç, por gjithsesi vë re ndryshime të sjelljes së tij me ne prindërit duke e krahasuar me sjelljen time ndaj prindërve të mi. Mund të shtoj që shpresojmë se është e vërtetë shprehja “çfarë të mbjellësh do të korrësh”.

Egli Daja:Me kohët që kanë ndryshuar (në të keq) unë jam i bindur që fëmijët tanë nuk do të arrijnë të bëjnë për ne as 20% të asaj që ne kemi bërë dhe bëjmë për prindërit tanë, si nga ana e respektit dhe nga ana e ndihmës.

Alma Keta Oshafi:E keqja jonë si shoqëri është se kemi dhe shumë pak njohuri për PRINDËRIMIN, domethënë që ne krijojmë familje pa e ditur se çfarë detyrash duhet të ketë një çift ndaj fëmijës. Thjesht bëjmë fëmijë se duhet të shtojmë familjen, apo të lemë trashëgimtarë, por detyrat e Prindërimit janë pak të njohura. Megjithatë kur shikon ata prindër të braktisur në Azile nuk e di, por të dhimbsen aq shumë dhe s'e di se si mundet një fëmijë ta dërgojë prindin e tij deri në këtë pikë.

Isuf Zenuni:Pa hipokrizi, pleqtë o duaji o duroji!