NGA BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Me 11 janar të këtij viti, diku nga ora 10.30 jam ndodhur në familjen e Raq Manushit. Derën ma hapi e zonja e shtëpisë, një grua shumë fisnike dhe me një edukatë të lindur. U ula në atë vend, kur kisha takuar të zotin e shtëpisë me 9 janar 2009.
Dhe për koiçidencë edhe e zonja e shtëpisë, zuri vend në atë kolltuk ku bashkëshorti i saj në atë ditë bashkëbisedonte me mua. Kërkova “ndihmën” e pak minutave sa për të hequr peshën e rëndë të emocioneve dhe për t’u orjentuar disi me atë vend, që e kisha lënë për të fundit herë para tri viteve.
Kam nxituar shumë në atë kohë, për t’ia bërë nderet atij njeriu sepse me 13 janar, pikërisht të atij viti 2009 ai kishte 80-të vjetorin e lindjes. Dhe koiçidenca këtë herë më ndihmon, që me 13 janar 2012 të bëj fjalë tashmë për 83 vjetorin, duke ndërtuar një dossier.
Emri i personazhit të këtij dossieri është shumë i njohur, madje i famshëm. Sportist i talentuar. Njeri simpatik. Qytetar model dhe i civilizuar. Quhet Sotiraq Manushi. Kam shkruajtur shumë për këtë figurë dhe gjithnjë kam qenë i bindur, se kam lënë shumë pa thënë.
Këto lloj emrash dhe këto figura i “turpërojnë” gazetarët, pasi konkurenca është tejet e madhe ndërmjet famës së tyre dhe mjeshtrisë profesionale. Por në pozicionin e Raq Manushit kam qenë me fat, se ndihmën e parë e kam marrë nga im atë Xhafer Qesja, mik me kokë dhe shok besnik me burrin xhentëllmen nga Durrësi.
Por Violeta (Vola), e shoqja e Manushit të paharruar, ç’hyn këtu!? Për ta filluar ndryshe shkrimin dhe veçanërisht kur nga 28 janari i vitit 2009, miku dhe shoku ynë mbreslënës mbylli sytë për gjithnjë, vendosa të bëja një “kompromis” me Volën. Doja të më thonte diçka më shumë, që nuk kemi patur rast ta shkruanim në rastet e mëparshme.
Vërtet Raq Manushi mbylli sytë, por na ka hapur njëqindfish sytë e mëndjes, të kujtimit dhe mbresave të çmuara. Tani jo se jo, por edhe shumë vite të tjera do të kalojnë dhe kurrë s’kemi për ta besuar, se nuk ndodhet ndërmjet nesh. Pse i kërkoj të falur Volës!
Hallet dhe vuajtjet, të cilat nuk kanë qenë të pakta për familjen Manushi, Violeta nuk donte t’i kujtonte dhe m’u lut të mos i shënoja. Zanati ynë kompromisin e lidh më shumë me lexuesin dhe për respekt të tij, detyrohehesh të thyesh edhe pakte si ai me Volën. Më fal Vola! Nuk mund t’i mbaja benda vetes dhe pa e bërë publike, se ishe vetëm 20 vjeçe kur u martove dhe nga kushtet komode të jetesës, për arsye të asburdit të kohës ju, dërguan në rrafshanaltën e Kryevidhit.
Nuk është e keqja se atje nuk jetonin njerëz, por mënyra e mbrapshtë që u ndoq për t’i internuar Manushët në fshatrat e thella të Patokut dhe Milotit edhe tani të vjen rëndë ta kujtosh. Provokimi nisi nga blerja e një peshku nga Vangjel Manushi, beratasi zotni dhe një tregtar manifaturash shqiptare nga të parët. Turp! Shumë turp! Diku në bri të pallatit të kulturës, atje ku në Durrës njihet me emrin serat (për hir të një lokali xhamllëku vendosur në kohën e djeshme), ishte dyqani gjysëm të gatshme.
I jati i Raq Manushit- Vangjeli, bleu një peshk dhe e la për të marrë pasi të kthehej nga Zan Thërmija, berberi mjeshtër durrsak. Atje iu ngrit kurthi. Drama filloi me shitësin: pse ia kishe rezervuar peshkun Vangjel Manushit? Pse ishte pranuar të mirreshin, 2-3 lekët e dhëna të bakshishit?
Plasën fletë rrufetë dhe mbi të gjitha, plasi marazi i të “kuqve” ndaj “pasanikëve” të Durrësit. Turp, njëmijë herë turp! Kur detyrohesh ta kujtosh këtë fakt, çmëndesh nga absurditeti. Brezi që nuk e ka jetuar atë kohë, u duket utopike, që të shuash familje të tëra, për sebep apo shkak të paqenë.
Për këto m’u lut Vola, të mos i shkruaja. E preva në “besë”. Më fal Vola! Por nuk mund të bëja të paditurin, kur kam parë Manushët në foto të qëndrojnë në një barangë të ndyrë. Baranga primitive dhe pa asnjë kusht, kishte tri nëndarje. Në njërën jetonte familja e Raqit me Vangjelin 18 muajsh, së bashku me të jatin Vangjelin tjetër. Në tjetrën i vëllai Xhoxh Manushi me gjithsejt. Nëndarja e tretë të ëmës Haretini, me të bijën Beatriçen.
Kur ishte vetëm 18 muajsh Xhei (djali i madh i Raqit), kësaj barange i shtohet edhe Ledi. Ndërsa binjaku tjetër Dhimitri, qëndronte në Durrës. Ishte shëndetlig. Baranga ishte vendosur me bazë tokën, ku gjarpërinjtë, bretkocat e zhapikët lëviznin si në shtëpinë e tyre. Pa kulm, pa tavan, e pa shtroje. O zot pse kështu!? Çfarë kishin bërë!?
Arsyeja? Për t’i edukuar. Pa ujë dhe pa drita. Mizerabilitet dhe ferr i vërtetë.
-Edhe gomarin, thotë Vola, vonë nisëm ta përdorim. Hezitonim se mos na i quanin luks. Të gjitha veprimet i bënim në këmbë. Minjtë na kalonin natën mbi krye, pasi gjuanin ushqimin e tyre. Po të lutem mos i vendos këto, sepse kurrë se kemi patur si adet të qahemi. Nuk ka pse! S’dua ta kujtoj më atë kohë!
Manushët ia dinë për nder Feruz Matajt, që sfidoi me mënçuri kohën. Ia “zbukuroi” disi barangën e ndyrë, teksa i bëri shtroje çimentoje dhe boshllëqet ndërmjet dërrasve ia zuri me katrama. Albumi që çfletoja, është dëshmia më rrënqethëse e atij persekutimi të pazakontë. Kështu ky internim, ky poshtërim njerëzor nga 13 maj i vitit 1967, e deri në 18 prill të vitit 1972.
Dhe ti Vola nga dera e njohur e Kalacëve, ruan krenarinë dhe dinjitetin njerëzor, duke u lartësuar në qiell krahasuar me persekutorët tuaj. Të vranë rininë, por jo shpresat. Burri zotni Raq Manushi, me atë finesën e tij të mrekullueshme, kur shëtiste me “Robuston” e tij “besnike” ndriçonte i tërë Durrësi.
Të jesh e bindur Vola, ia keni bërë pretencën të ligëve ja ashtu siç dinit ju. Pa hakmarrje, por me ndjeshmëri. Pa bërtitur, por me urtësi. Pa thënë ndonjëherë se ç’keni hequr, por në vënd të kësaj vetëm buzëqeshje.
Më duhet ta përsëris për të satën herë: Më fal Vola!
Ke të drejtë Xhei!
Vangjel Manushi, është njeri i respektuar si i jati dhe punon në Bashkinë e Durrësit. Djalë i qetë, me buzëqeshje joshëse, që ngjason me qetësinë e detit në perendimet e jashtëzakoshme durrsake. Flet ëmbël si “një nuse me tel”. Edhe ai si e ëma, nuk shajnë kërkënd dhe nuk duan ta kujtojnë atë kohë. Më duhet të shënoj që të tre fëmijët e Raq Manushit, ndjenë peshën e së keqes.
Binjakët Ledi dhe Dhimitër Manushi, ëndërronin të luanin futboll si i jati dhe pse jo të mos kishin edhe famën e tij. Nisin me ekipet e moshave dhe marrin mësimet e para në shkollën e mesme sportive të qytetit. Se ç’dreq avazi rinisi, me këtë djall luftë të klasave dhe binjakët Manushi i përjashtuan nga shkolla.
I dërguan në Ndërmarrjen e Ndërtimit si punëtorë. Por forca e talentit të tyre çau dhe dëshira e Raq Manushit për t’i parë të dy djemtë të veshnin fanelën magjike të “Lokomotivës”, u bë realitet. Pavarësisht se atij dhe fëmijëve ia kishin hequr “vizën” nga ekipet kombëtare, për përsëri ata shkëlqyen në talent, në sjellje, në dinjitet.
Ramë dakort me të zotët e shtëpisë, që të mos shtriheshin më gjërë. Le të mjaftonte për të prekur atë merak që kisha, kur trokita në derën e Manushëve. Nuk e dija dhe kjo mbase më nxiti të rishkruaja edhe për këto gjëra për Raq Manushin, kur Xhei më kujton se Viola është stërmbesë e patriotit të njohur Ali Hafiz Podgorica. Është ky që ka ngritur flamurin në vitin 1912 dhe është nga kryetarët e parë të Bashkisë së Durrësit. Dhe si për ta mbrojtur edhe formalisht këtë fakt, përballë banesës së familjes së Raq Manushit, ngrihet busti i Ali Hafiz Podgoricës.
Po kështu edhe e ëma e Raq Manushit Haretia, është nga fisi i Margaritëve ku njëri prej tyre Orest Margariti, na inkurajonte nga Amerika për të shkruajtur më shumë, për njerëzit që i dhanë rininë e tyre futbollit durrsak. Ai që bëri më shumë histori mbetet Rit Margariti, protogonist i futbollit të viteve 30-të të “Teutës”. Bëra disa foto me Raq Manushin, pikërisht dy javë para se ai të ndahej nga jeta. Në mes luleve të urimit për 80 vjetorin e lindjes, ai kishte dalë si një shenjë malli edhe me mbesat, nuset dhe djemtë dhe me shumë nga të afërmit e tjerë.
Krahas sentimentit për të qenë pranë Manushit edhe në çastet e fundit të jetës, fotot që janë jashtë natyrës lozonjare dhe të qeshur të Raqit, nuk mund t’ia ofronim lexuesit. Dhe këtu ti Xhei ke meritën, për të mos u publikuar. Fotot që dispononim e tregojnë Raqin potent, të bukur, në mes shokësh dhe miqsh, prej të cilëve nuk u nda deri në fund. Dhe jam bindur njëmijë herë për të thënë: ke të drejtë Xhei!
Dukuria e shifrës 13, favori dhe tersi i saj
Teksa bisedonim me Volën, për herë të parë pa praninë e Raq Manushit, tërhoqi vëmëndjen shifra 13. Bashkëshortja e respektuar e Raq Manushit më thotë: a duhet marrë si shenjë e keqe, apo edhe e dukurive të mira kjo shifër!? I ka brenda që të dy anët. Rastësia vjen vërtet e çuditshme.
Me 13 janar 1929, Raq Manushi lindi në Bari të Italisë. Si përkim i vlefshëm historik, vlen edhe fakti që atë vit “Teuta” e Durrësit, luajti dy ndeshjet e para ndërkombëtare me “Unione Sportivo Bari”. Mbase do të ndalemi në një rast tjetër mbi këtë ngjarje, e cila ka kaluar pa u vënë re. Shtatori i vitit 1929, është njëqind për qind i sigurtë se mund të shënojë ngjarjen historike, që një klub shqiptar luan me ekipe të huaja jashtë Atdheut.
Me 13 shtator 1963, Raq Manushi është fejuar me Violetën, të bijën e Tofik Kalacit. Dhe si për të qenë e saktë me ne, Vola nxjerr unazën e martesës nga gishti dhe lexon të shkruajtur në të: 13 dhjetor 1964. Dhe në këtë rrafsh ndjella mirë të kësaj shifre, fatkeqësia e internimit është e lidhur me datën 13 maj 1967.
Shpejtësia e tij “konkuronte” erën
Një nëntitull që befason, pasi Manushi kohën më të madhe në sport ia kushtoi futbollit. Por është rast shumë i rrallë në futbollin shqiptar, që një lojtar i topkëmbës të jetë edhe kapitull i artë në atletikë. Ndoshta ky shembull qendron këmbëkryq tek i mirnjohuri Skënder Begeja, kur shpallej kampion në vitin 1946-47 në vrapimin e 100 metrave, e fill pas tij Raq Manushi i Durrësit.
Por Manushi do të ishte i pari në këtë kohë në 200 metra dhe kërcimin së gjati. Në historinë e atletikës kombëtare atleti i lindur durrsak, është arkivuar në ballkaniadën e 46-tës dhe veçanërisht në duelin e papërsëritshëm në vrapimin e 100 metrave me sprintjerët Zef Franja dhe Shaban Lundra.
Fotoja që publikohet, është relike e çmuar për arkivën tonë. Ajo mban datën 23 korrik 1950 – 72 vjet të shkuara. Raq Manushi që përfaqësonte “Partizanin”, pret shiritin i pari. Pas tij janë Franja dhe Lundra, në pistën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Dhe jo vetëm në atletikë, por edhe në patinazh, gjimnastikë, hedhje nga trampolina Raq Manushin s’kishte të dytë që ta konkuronte.
Në fronin e nderit të futbollit
Pa diskutim Sotiraq (Raqi) Manushi mbetet idhulli i futbollit durrsak, për ndihmesën e çmuar dhe të jashtëzakonshme. Ky emër që do të bëhej i famshëm, lindi në Bari me 13 janar 1929 dhe erdhi në Durrës, teksa pasioni për futbollin ishte ndezur ndjeshëm.
Tirana dhe Durrësi, dy qytete me shumë tradita në futboll, thuajse u bashkuan në fillimet e viteve 40-të. Dhe Manushi filloi të bëj emër, teksa rreshtohet në ekipin “Rinia II” të Tiranës, ku i luante ndeshjet në Shallvaret e famshme të kryeqytetit. Duke shtrydhur memorien rigjallërohet. Kujton shoqërinë me Selman Stërmasin, këtë personalitet të futbollit shqiptar siç shprehet Manushi. Kujton gjithashtu Osman Reçin, Haxhi Arbanën, që me roveshiatat në ajër ishte kopje e futbollistit të madh italian Sivio Piola. Nuk mënjanon as Adem Karapicin. Regjimi e përplasi në burg, teksa i ndërpreu në mes rrugën e shkëlqyer që kishte nisur.
Por kujtim të pashlyer do të ruaj ky Manush për Rexhep Spahiun dhe Besim Boriçin, këtë dyshe të mirnjohur të futbollit. Famën, reputacionin dhe emrin me gërma të arta, Raq Manushi do ta bënte në Durrës, pranë sportëdashësve dhe qytetarëve durrsakë.
Luajti me shumë breza, njërin më të mirë se tjetrin, por ndërkohë duke përballuar me një psikologji të ftohtë edhe lojën që luante me të diktatura. Zbritjet nga avioni dhe rrugëtimet për jashtë shtetit u bënë si refren i vazhdueshëm, që fatkeqësisht iu bashkëngjitën rrugës së tij sportive. Kjo do të përbënte kapitull tjetër të mbijetesës së këtij futbollisti simpatik, plot talent e virtuozitet, duke gjetur përkrahjen dhe mbështetjen e madhe të sportëdashësve durrsakë.
Rrugëtimi i tij si futbollist rroku shumë breza futbollistësh, të cilët i kujton me mall dhe nostalgji. E nisi me brezin e viteve 40-të Rruginë, Gjirin, Sallatën, Tatin, Jeremiqin, Haçkovinë, Hajdarin, Pashën, Thërminë. Vazhdoi më pas me Qemal Voglin, Skënder Jarecin, Mile Qoshen, Abdulla Dumën, Met Myshkun, Shyqyri Hasën, Taq Muratin, Niko Bespallën, Mustafa Saraçin, Nikolla Çetën etj. Ndahet nga topi i rrumbullakët në vitin 1960.
- Ekstrem i djathtë si ai, shkruhet në kujtimet e mbrojtësit të përfaqësueses Rexhep Spahiu, që vraponte me shpejtësinë e erës, s’kishte zot që ta kapte.
Memoria e Manushit befason teksa publikon faktin e panjohur, se Durrësi është fitues i Kupës së Republikës në vitin 1946, kur në një nga zonat ndarëse bënte pjesë me “Vllazninë” dhe “Tiranën” dhe grumbulloi më shumë pikë.
Në 16 vjet të karrierës së tij, Raq Manushi mbeti titullar dhe futbollist i pazëvëndësueshëm i ekipeve me emra të ndryshëm të Durrësit si “Teuta”, “Ylli i Kuq”, “Dinamo” dhe “Puna” e Durrësit, “Lokomotiva”.
Aktiv edhe në prezencën ndërkombëtare
Talenti i rrallë dhe aftësitë e veçanta sportive të Raqit, ndonëse trajtohej si me “cen” në biografi, nuk mund të mos merrej në konsideratë nga trajnerët e ekipeve përfaqësuese dhe të klubeve me emër të kryeqytetit.
Sëmundja nuk ia ka tretur kujtesën Raqit të njohur të futbollist durrsak, kur kujton që grumbullohet me përfaqësuesen e klubeve të Shqipërisë së Jugut, për t’u ndeshur me kampionen e Bashkimit Sovjetik “Spartaku Moskës”. Ndërkohë luan me ekipet e Podgoricës dhe Sarajevës, ku në këtë të fundit sulmuesi i shkathët i krahut të djathtë Sotiraq Manushi, shënon një gol të paharrueshëm.
Më pas vazhdojnë ndeshjet në Shkup dhe në Prishtinë, në përbërje të një seleksioni shqiptar, takime që fitohen 1-0 dhe 4-1. Me 23 dhjetor 1954, i “dënuar” të mos luajë në përfaqësuesen A, durrsaku Manushi është në përbërje të kombëtares B kur luan me ekipin “Krahët e Sovjetëve”, “Dinamon” e Bukureshtit dhe “Dozha” të Budapestit.
Kujton gjithashtu: pjesë e kësaj kombëtareje, ishin edhe futbollistët Alfred Bonati, Besim Boriçi, Vasif Biçaku, Aristidh Parapani, Pal Mirashi, Tafil Baçi dhe Muhamed Dibra. Këto angazhime e plotësojnë më së miri, portretin e futbollistin cilësor të futbollit durrsak dhe atij shqiptar të viteve 40-të dhe 50-të me merin historik Sotiraq Manushi.
Gjithnjë pranë nesh Raq Manushi!
Më bie rasti të kaloj shpesh, në vendin ku jeton durrsaku i mirnjohur Ramazan Ferra. Aty ku vite të shkuara jetonte edhe artisti i madh i skenës Ramazan Njala dhe emri i njohur i qytetarisë Bajram Thërmija. Poshtë në katin e parë të këtij apartamenti është një lokal modest, por për mua i veçantë. Klientë gati të përditshëm aty ishin: Bajram Thërmija, Feruz Mataj, Qemal Kërtusha dhe ndonjë durrsak tjetër.
Aty më duket se shikoj edhe Raq Manushin. Më çfaqet i gjallë dhe sikur përshëndetem më të. Nuk dua ta besoj, se është ndarë fizikisht nga ne. Dhe kam të drejtë që nuk dua ta besoj. Kur lëviz në përditshmërinë time buzë detit, më duket se do të më dalë si zakonisht Raqi teksa pedalon me “Robuston” e tij.
Manushi më pati prezantuar me një mik të ngushtë. Oh çfarë miku! I shkëlqyeri Zihni Dervishi. Sa e donte Raq Manushi këtë njeri të mirë dhe të urtë, ndaj të cilit mbetemi borxhli!
Raq Manushi me 13 janar 1929 ka lindur, ndërsa me 28 janar 2009 nuk është më ndër ne. Jetoi 29.231 ditë. Kanë kaluar 4.720 ditë që Raq Manushin, djalin zotni të Durrësit nuk e shikojmë, nuk e përshëndesim, nuk ia prekim buzëqeshjen dhe mirësinë. Por kujtimet që na la, raportin që krijoi me qytetarinë durrsake, zemra e madhe, shpirti gjithnjë i ndezur, ndihma dhe mbështetja që u jepte miqve, mirënjohja që i çfaqte gjithsecilit, nuk zbehen dhe aq me pak të fshihen.
Sotiraq Manushi gjallon gjithnjë. Përjetësia e tij në kujtesën tonë, është vendosur. Vetëm sa e pohojmë. Gruaja Vola, djemtë Vangjeli, Dhimitri e Ledi, ëdhe mbesat, miqtë, të afërmit dhe shokët, bashkohen në një zë, vendosen në një rradhë dhe shprehin të njëjtën gjë:
Gjithnjë pranë nesh Raq Manushi!
Shprehen për Raqin
Petraq Ikonomi, specialist futbolli.
-Ndonëse futbollist i viteve 40-të dhe 50-të, formimi dhe talenti i Raq Manushit i përshtatej cilësive të futbollistit të viteve 70-të. Teknika dhe shpejtësia, ishin të pakonkurueshme dhe kjo e ndihmonte të merrte krahun dhe të rrezikonte mbrojtjet kundërshtare, të cilat e kishin shumë të vështirë ta përballonin.
Dyshja Manushi – Pasha mbetet edhe tani nga më të spikaturat e futbollit durrsak, sepse kombinohej në sinkron shpejtësia dhe teknika. Pa as më të voglin ngurrim, Raq Manushi do ta krahasoja si sulmues krahu me të mirnjohurit Tiç Parapani, Pal Mirashi dhe Vasfi Biçaku.
Natyra prej atleti dhe gjimnasti, i kishin dhuruar Raqit një fizik të rrallë që shikohej me zili. Në se nuk do të ekzistonin persekucionet ndaj tij, ai sigurisht do të meritonte të tjera vlera të rralla.
Sulejman Maliqati, “Macja e zezë”
-E kam njohur Sotiraq Manushin në grupin “Partizani” në vitin 1950. Shkëlqente si atlet dhe ishte kampion absolut. Kjo e ndihmoi edhe në futboll, duke ruajtur gjithnjë armën e tij kryesore shpejtësinë. Po ta kalonte topin Raqi pas shpinës së mbrojtësit, nuk mund ta kapje dot. Sulmues tipik krahu, që është e vështirë edhe sot ta gjesh në futbollin tonë. Kur luante “Partizani” me “Lokomotivën” veçanërisht në Durrës, Raq Manushin gjithnjë do ta kishim problem.
E paharrueshme mbetet loja e Raqit në finalen e Kupës së Republikës në vitin 1957, kur Lokomotiva për pak sa nuk na mundi në “Qemal Stafa”. Në 10-të vjeçarët e fundit me Raqin u bëmë shokë dhe miq të ngushtë. Mbetet njeri human, me shpirt të gjërë si deti siç thonë durrsakët, xhentil, tërë shend e gaz e plot humor.
Met Myshku, ish futbollist dhe gjyqtar ndërkombëtar
-Kam nostalgji për tërë brezin e viteve 50-të dhe veçanërisht për shokun tonë të mirë Sotiraq Manushi. Sulmues si Raqi, janë të rrallë sot e jo më në atë kohë. Elegant, i shpejtë, teknik e shpërthyes në krahun e djathtë. Allo tipik krahu. Shumë i edukuar në lojë dhe nuk u qortua qoftë edhe njëherë nga gjyqtarët.
Raqi ishte siguria e “Lokomotivës” në sulm. Portreti i tij i gjallë, trupi i gjatë dhe i bukur, e qeshura gjithë shpirt që ia fisnikëronte fytyrën, mbeten për mua kujtimi më i mirë, për shokun e respektuar Sotiraq Manushi.
Bujar Qesja
Durrës: 8 dhjetor 2022