Milot Rashica e shijoi në maksimum periudhën e huazimit te Galatasaray dhe ka shprehur dëshirën për ta vazhduar karrierën në Turqi.
Ylli kosovar kaloi një sezon të shkëlqyer në Superligën turke, por u kthye sërish te Norwich City, klub i cili zotëron kartonin e tij.
Klubi anglez nuk luan në Premier League, dhe Rashica nuk ka ndërmend të qëndrojë më aty.
Galatasaray dëshiron që ta ketë pjesë të ekipit 27-vjeçarin edhe për sezonet e ardhshme, por ka konkurrencë nga Fenerbahçe dhe Besiktas.
Gara do të jetë e ashpër për të siguruar shërbimet e Rashicës, pasi mediat turke shkruajnë se sulmuesin kosovar e duan edhe klube nga Premier League angleze dhe Bundesliga gjermane.
Ndërkohë, shefi i Galatasaray, Erden Timur ka biseduar me drejtorin sportiv të Norwich, Stuart Webber për të blerë shërbimet e Rashicës.
Klubi turk është gati të paguajë deri në 7 milionë euro për kartonin e futbollistit, ndërsa Norwichi kërkon mbi 10 milionë.
Diferenca mes ofertës dhe kërkesës është 3 mln euro, dhe ka hapësirë për negociata. Megjithatë përcaktuese do të jetë dëshira e futbollistit.
Rashica ka kontratë me klubin anglez, që aderon në Championship deri më 30 qershor të vitit 2025.
Ylli i Kosovës realizoi 11 gola në 26 ndeshje në Superligën turke në sezonin e fundit, ku fitoi titullin kampion.





