Një person është infektuar për herë të dytë me koronavirusin Covid-19, ndërsa sëmundja shfaqet më agresive dhe më e rëndë. Rasti ka ndodhur në SHBA, dhe mjekët thonë se Covidi i shfaqur për herë të dytë bëhet shumë më i rrezikshëm se hera e parë. I riu kishte nevojë për trajtim mjekësor, pasi mushkëritë e tij nuk arrinin që të mbusheshin me oksigjen.
25-vjeçari tani është shëruar, ndërsa rasti i tij është marrë në studim. Shkencëtarët thonë se ai nuk vuante nga ndonjë sëmundje tjetër bashkëshoqëruese. Studiuesit deklaruan se imuniteti i 25-vjeçarit nuk u forcua më shumë pas infektimit herën e parë me Covid-19.
“Zbulimet tona dolën në konkluzionin se infeksioni i mëparshëm nuk mund të mbrojë domosdoshmërisht nga infeksionet e tjera. Riinfektimi mund të shfaqet me komplikacione më të mëdha”, tha studiuesit Mark Pandori nga Universiteti i Nevadas.
Ai bëri thirrje që edhe ata persona të cilët kanë kaluar njëherë Covid-19, të qëndrojnë me maska, të ruajnë higjienën dhe të respektojnë distancën fizike. Janë të rralla rastet kur pacientët infektohen për herë të dytë me Covid-19, aq më tepër në gjendje të rënduar.





