Një rast tronditës që ka ngjallur protesta është regjistruar në Shangai, pasi një person u deklarua i vdekur por më pas u zbulua se ai ishte gjallë.

Sipas The Guardian, gjashtë persona janë nën hetim në Shanghai pasi një banor i shtëpisë së të moshuarve u deklarua gabimisht i vdekur, u fut në një ‘çantë’ ku mbahen kufomat, por punonjësit e morgut vunë re se ai ishte ende gjallë.

Ngjarja ndodhi të dielën pasdite dhe është filmuar. Madje pamjet u përhapën shpejt në internet, duke shkaktuar një reagim të furishëm në qytetin i cili ka qenë nën një bllokim të rreptë për pesë javë për shkak të shpërthimit të Omicron.

Në pamjet që qarkullojnë në internet, shihen punonjës shëndetësorë me veshjet mbrojtëse kundër koronavirusit duke nxjerrë çantën me trupin e të moshuarit nga furgoni i morgut për ta vendosur në një barrelë dhe futur tek shtëpia e funeraleve. Ata shikojnë brenda saj dhe shpejt kuptojnë se personi brenda është gjallë.

Incidenti u konfirmua nga zyrtarët e qarkut Putuo, që thanë se hetimet kishin filluar.

Pesë zyrtarë, përfshirë drejtorin e shtëpisë së kujdesit dhe një mjek, janë shkarkuar nga puna dhe vënë nën hetim.

Shtëpia e të moshuarve në Shanghai Xinchangzheng ka kërkuar falje, ndërsa shtëpia funerale thuhet se lavdëroi punonjësit e saj që vunë re se personi ishte ende gjallë dhe i shpërbleu ata me 5,000 juanë (600 Paund) secili.

Media shtetërore tha se pacienti i moshuar ishte transferuar në spital dhe po merrte trajtim për shkak të koronavirusit.