Rritet numri i pacientëve që janë paraqitur për të marrë ndihmën e parë në spital, pas shenjave të helmimit që shfaqën pas incidentit të ndodhur mbrëmë në aktivitetin e Partisë Demokratike.

Në një njoftim zyrtar për shtyp, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se deri më tani nga shërbimi i urgjencës së okulistikës në QSUT, raportohet se janë 140 raste të paraqitura për të marrë ndihmën e parë, ku midis tyre 14 pacientë janë shtruar (deri në orën 16:00).

Aktualisht në shërbimin e okulistikës në QSUT, po marrin shërbim 7 pacientë. Gjendja e tyre është e stabilizuar por mosnjohja e agjentit shkaktar ka imponuar monitorimin nga afër të tyre për ndonjë komplikacion të mundshëm, sqaron MSH.

Edhe pacientët që janë paraqitur më vonë shprehin të njëjtat shenja klinike, të një intoksikacioni (helmimi), si: skuqje të syve, dhimbje të syve, marramendje, të vjella, turbullim shikimi, skuqje në zonat e fytyrës dhe qafës, marrje fryme.

Ministria e Shëndetësisë thotë se pas komunikimeve me spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në vend, raportohet se në Elbasan janë paraqitur 4 raste me suspekt konjuktivit, si dhe në spitalin rajonal të Durrësit, 5 raste me të njëjtën diagnozë.

Ministria e Shëndetësisë vijon komunikimet me organet shtetërore kompetente ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjes.