Në vendin tonë është konfirmuar prania e 11 rasteve të fëmijëve të prekur nga Fruthi në Tiranë dhe në Durrës.
Gjendja shëndetësore e fëmijëve të prekur është e mirë, ndërsa nga institucionet ende nuk ka një deklaratë zyrtare.
Rastet e fruthit në vendin tonë vijnë pas alarmit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë se në gjithë Europën po rriten rastet me fruth. OBSH u bën thirrje vendeve që të kryejnë urgjentisht fushata vaksinimi.
Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu thekson në një postim në rrjete sociale se vaksinimi në kohë i fëmijëve siguron një mbrojtje më të mirë.
“Gjatë praktikës së punës së përditshme te konsultori i fëmijës, ne si mjekë pediatër, por edhe punonjësit e tjerë shëndetësorë që janë dhe infermieret tona, në të përditshmen tonë kemi si detyrë të punës sonë të bindim dhe të ndërgjegjësojmë prindërit që të sjellin fëmijët pranë konsultorit tonë, për të bërë vaksinimin e përcaktuar nga kalendari kombëtar i vaksinimit, dhe në veçanti vaksinën që mbron nga fruthi, rubeola dhe shyta. Kjo është një vaksinë shumë e rëndësishme që u jep mbrojtje gjatë gjithë jetës fëmijëve. Prindër të dashur, duhet patjetër t’i vaksinoni fëmijët tuaj për mbrojtjen nga sëmundjet e fruthit, rubeolës dhe shytave përveç edhe vaksinave të tjera që kryhen rregullisht. Kjo është një ndër vaksinat që prindërit hezitojnë të vijnë në kohën e duhur apo nga informacionet e gabuara, kërkojnë që të shtyjnë afatin kohor të kryerjes së kësaj vaksine”, shprehet mjekja Agastra.