Reagimi i fundit i Ministrisë së Arsimit e Shkencës për dhunën ndaj fëmijëve të trondit thellë, më shumë se rasti që nuk është aspak i izoluar, po një fenomen. E natyrshëm pyet a e beson vërtet MASH se e heq përgjegjësinë nga vetja dhe shteti në tërësi për dhunën që ushtrohet në institucionet e edukimit duke thënë se kopshti ishte i paliçencuar dhe se prindërit duhet të denoncojnë çdo rast?! Absurde kjo kërkesë. Po strukturat, inspektorët ç’duhet të bëjnë? Mos vallë po pohohet se funksioni kontrollues, monitorues i strukturave shtetërore ka rënë? Po vetë shteti që mbahet me taksat tona mos do të kthehet në Zyrë Pritjeje për ankesat? Në fakt as këtë nuk e ka bërë deri tani. Nëse rasti nuk mediatizohet, publikohet reagimi nuk ndodh. Vdes bashkë me rastin.
A e di MASH se çfarë ndodh edhe në çerdhet publike? A i ka inspektuar ndonjëherë, po dhe shpesh e në befasi ato? Kontrollet vjetore rutinë nuk janë zgjidhje. Po Drejtoria Arsimore, Shëndeti Publik e cilado tjetër strukturë a autoritet që ka akses të hyjë në to. A e njeh Ministria praktikën e zhurmuesit muzikor? Të paktën në çerdhe të Durrësit përdoret rëndom për të shuar ulërimat e "edukatoreve" dhe të qarat e fëmijëve.Volumi i muzikës është në maksimum, ndërsa vogëlushët reagojnë vetëm me të qarat çdo mëngjes dhe të ashtuquajturën kokëfortësi për të mos u kthyer në vendin e krimit. Dhe reagimi i fëmijëve tanë shpesh keqkuptohet teksa nxitojmë për në punë. E vlerësojmë si kapriço fëminore që duhet kapërcyer dhe sërish e çojmë atje. Në çerdhe.
A e di MASH se në Durrës e gjetkë ka dhe kopshte jopublike, që marrin të gjitha moshat e fëmijëve nga 0-7 vjeç, ku prindi e dorëzon dhe e merr fëmijën te dera dhe nuk lejohet të hyjë brenda, si një rregull për të mos shqetësuar personelin edukues? Prindërit e besojnë argumentin deri në momentin kur përballen me të vërteta të hidhura. Në këto kopshte prindi lejohet të vizitojë ambjentet e kopshtit vetëm në çastin e regjistrimit për të parë kushtet, arredimin e ambjenteve, po më pas duhet t'i besojë verbërisht një stafi që e shet veten përmes rrjeteve sociale dhe aftësisë për ta bërë këtë nga ana e pronarit. Prindi beson verbërisht te këto stafe, pasi beson ende te shteti i vet dhe që si kudo në botë, në vendet e civilizuara ku pretendojmë të shkojmë përmes përafrimit të standardeve, duhet ta ketë në krah të tij për t’i lehtësuar prindërimin dhe jetesën për të mirën e përbashkët.
Ky vend për fat të keq është i mbushur me Anjeza, me punonjëse arsimi dhe edukimi të paafta emocionalisht dhe profesionalisht për të bërë detyrën me fëmijët tanë, me punonjëse dhe pronar/e që e shohin fëmijën thjesht si objekt pune a objekt të ardhurash, jo si fëmijë që do përkujdesje dhe durim në maksimum për t’u bërë një qytetar i mirë dhe i respektuar…
Jetojmë në një shoqëri të dhunshme, ku problemet e shumta të individit vijnë e përplasen te qeniet më të ëmbla, më të brishta, FËMIJËT, ndërsa shteti pret dhe na kërkon të denoncojmë. Të shndërrohemi në prindër investigativ, pasi jo çdo prind ka fatin të mbërrijë te emisionet e pakta televizive investigative që ka në vend. Shteti na kërkon që të lëvizim me kamerat-çimka në xhep për ta vendos gjëkundi në ambjentet e cerdhes a kopshtit për të faktuar dhunën që ushtrohet ndaj fëmijëve tanë, veçanërisht atyre 0-3 vjeç, që nuk e tregojnë dot atë që pësojnë nga të rriturit. Po ka dhe fëmijë të rritur që mbahen nga edukatorët dhe mësuesit e fillores nën presionin e dhunës emotive për të mos u treguar prindërve atë që ndodh në klasë. TURP!!! Nga këtu duhet të nisin kontrollet ndaj edukatorëve dhe mësuesve dhe jo ndaj testimit të dijeve të tyre. Çdo prind ka nevojë për sigurinë e fëmijës në rradhë të parë, për një komunikim të denjë nga ana e stafeve që edukojnë jo thjesht fëmijët tanë, po të sotmen e të nesërmen e këtij vendi dhe brezave që vijnë.
Në të vërtetë jemi të gjithë pjesë e një shoqërie frikshëm akuzuese ndaj individit. Gjithnjë të gatshëm të godasim, fyejmë, vrasim dhe ngrejmë gishtin akuzator ndaj një emri, deri sa del emri i rradhës. Harrojmë shpejt emrat e tjerë. Kjo ndodh në çdo aspekt të jetës, po le të mbetemi te rasti Anjeza që na dhemb më shumë se gjëmat Berisha, Rama, Meta, Fullani, Sedia etj., etj., etj. Sepse na dhembin fëmijët. Sa shumë Anjeza ka në këtë vend e kudo. Sa prej tyre njohim? Sa prej tyre i kemi takuar në jetë? Le të fillojmë nga vetja e të dëshmojmë se dimë të shkojmë përtej rastit. Të pikasim problemet e të kurojmë dukurinë, sepse dhuna gjithnjë prodhon dhunë. Ajo nuk zgjidhet me dhunën që na e dikton frikshëm e gjithë shoqëria, shteti që nuk vepron, kultura e trashëguar dhe mbase dhe geni ynë. Zgjidhet me një shtet që merr përsipër përgjegjësitë dhe e mbron familjen e fëmijët përmes mekanizmave efikas social-shëndetësore dhe ligjorë, sot e gjithëherë. Zgjidhet me një shtet në krah të qytetarit, jo kundër tij.





